Petrit Kryeziu, Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prizren, përdor Sistemin Informativ për Menaxhimin e Lëndëve (CMIS) për të menaxhuar lëndët e tij dhe për të gjeneruar shabllonet e vendimeve të reja. Këto shabllone vendimesh, të integruara së fundmi në sistemin e drejtësisë në Kosovë*, thjeshtojnë dhe përmirësojnë rrjedhën e punës së prokurorive në të gjithë vendin. Të zhvilluara me mbështetjen e Komisionit Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë (CEPEJ), këto shabllone të përditësuara zëvendësojnë formularët e mëparshëm, duke siguruar më shumë konsistencë dhe relevancë në dokumentacionin dhe detyrat e përditshme.
Mjetet e reja po e ndihmojnë Petritin dhe prokurorët në të gjithë Kosovën të menaxhojnë lëndët në mënyrë më efikase, të përmirësojnë komunikimin brenda zyrave të tyre dhe të forcojnë cilësinë e përgjithshme të proceseve gjyqësore. “Shabllonet kanë ndikuar drejtpërdrejt në lehtësimin dhe përshpejtimin e hartimit të akteve procedurale, në rritjen e saktësisë dhe shmangien e gabimeve. Kontributi i tyre në unifikimin e dokumenteve zyrtare është i pazëvendësueshëm”, shprehet Kryeziu.
Nisma filloi me një mision ekspertësh të CEPEJ-it në mars të vitit 2025, pas konsultimeve me profesionistët e drejtësisë në Kosovë, të cilët identifikuan nevojën për përditësimin e mjeteve të përdorura në sistemin e drejtësisë. Në qershor 2025, në Prishtinë u organizua një takim pune me mbështetjen e CEPEJ, kushtuar hartimit të këtyre shablloneve. Më pas, mjetet u pilotuan në Prokurorinë Themelore në Prizren. Pas pilotimit të suksesshëm, shabllonet u pranuan nga sektori i prokurorisë në Kosovë dhe u shpërndanë në të gjitha prokuroritë, duke u bërë tashmë të qasshme për çdo prokuror.
“Kur filluam t’i përdornim në punën tonë të përditshme, e kuptuam menjëherë sa të dobishme ishin. Tani mund të themi se zbatimi ka qenë i suksesshëm dhe këto mjete kanë pasur një ndikim të drejtpërdrejtë pozitiv në punën e përditshme të prokurorëve”, thekson Kryeziu.
Rezultatet deri më tani janë shumë inkurajuese: deri në maj 2026, këto shabllone janë përdorur mbi 4,000 herë nga 186 prokurorë, vetëm pak muaj pas zbatimit të tyre në të gjithë sistemin e prokurorisë në Kosovë. Ekspertët ligjorë dhe praktikuesit e drejtësisë theksojnë se shabllonet e përditësuara mundësojnë përpunimin automatik të të dhënave të futura në sistem, duke zvogëluar rrezikun e gabimeve ose dyfishimeve dhe duke përmirësuar saktësinë e informacionit.
Pranimi i këtyre shablloneve të reja përfaqëson një përmirësim praktik në funksionimin e prokurorive në Kosovë. Duke rritur efikasitetin dhe duke siguruar dokumentacion të besueshëm, sistemi i drejtësisë mund t’u ofrojë qytetarëve një qasje më transparente, më të standardizuar dhe më të qëndrueshme në ndërveprimin e tyre me autoritetet ligjore.
Kjo nismë u mbështet nga veprimi i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Forcimi i cilësisë dhe efikasitetit të drejtësisë në Kosovë (KoSEJ III)”, i cili është pjesë e programit “Instrumenti Horizontal”.

