BE dhe Këshilli i Evropës po ndihmojnë shërbimin penitenciar në Shqipëri për të vendosur një praktikë të strukturuar dhe të standardizuar në mbështetje të të dënuarve me çrregullime të shëndetit mendor pas pranimit në IEVP, në përputhje me rekomandimet e Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës.
Si pjesë e përpjekjeve për të shtrirë këtë praktikë në më shumë IEVP në Shqipëri, 25 përfaqësues nga 3 IEVP dhe 2 institucione paraburgimi u mblodhën më 18-19 Shkurt 2026 për të forcuar aftësitë e tyre në punën me këta të dënuar. Eventi shërbeu për të ndarë praktikat më të mira nga pilotimi në IEVP Durrës, testimi i metodologjisë të vlerësimit fillestar në një mjedis të sigurt dhe planifikimi i zbatimit në IEVP Fushë Krujë, Peqin, Jordan Misja dhe Mine Peza.
Në vitin 2023, Procedurat Standarde të Veprimit (PSV) për trajtimin multidisiplinar të të dënuarve me çrregullime të shëndetit mendor u pilotuan me sukses në IEVP e Durrësit dhe Fierit. Të dy IEVP raportojnë se metodologjia e vlerësimit fillestar si pjesë e PSV ka rezultuar e dobishme. Tashmë është bërë praktikë standarde dhe vazhdon të zbatohet me sukses nga mjekët e përgjithshëm në të dy institucionet.
Në fund të aktivitetit, pjesëmarrësit hartuan një plan veprimi për secilin prej IEVP dhe institucioneve të paraburgimit ku do të pilotohet metodologjia e vlerësimit fillestar. U arrit një marrëveshje e përbashkët me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve me qëllim që shtrirja e pilotimit të zbatohet në Prill-Qershor 2026, me të paktën 40 të dënuar që do të vlerësohen në momentin e pranimit. Zbatimi i metodologjisë së vlerësimit fillestar për çrregullimet e shëndetit mendor në IEVP pritet të përmirësojë zbulimin e hershëm të çrregullimeve të shëndetit mendor dhe referimin më të shpejtë tek mjeku psikiatër. Kjo do të çonte në një trajtim më efektiv për të dënuarit dhe të paraburgosurit e rinj, në përputhje me rekomandimet e Këshillit të Evropës.
Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të projektit "Forcimi i mbrojtjes së të Drejtave të Njeriut të personave të dënuar në Shqipëri", pjesë e programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës "Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë".
This event was conducted in the framework of the action on “Enhancing the protection of Human Rights of prisoners in Albania” part of the joint European Union and Council of Europe programme ”Horizontal Facility for the Western Balkans and Türkiye.

