Back Gjykata e Lartë e Shqipërisë mëson nga përvoja portugeze për forcimin e efikasitetit

Lisbonë, Portugali 7-8 Tetor 2025
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page
  • Imprimer en PDF
Gjykata e Lartë e Shqipërisë mëson nga përvoja portugeze për forcimin e efikasitetit

Një delegacion i Qendrës së Dokumentacionit së Gjykatës së Lartë të Shqipërisë përfundoi një vizitë studimore në Lisbonë, të fokusuar në forcimin e praktikave të menaxhimit të çështjeve dhe kërkimit gjyqësor, në përputhje me standardet evropiane. 12 këshilltarë ligjorë dhe juristë të stafit të Gjykatës u takuan me përfaqësues të institucioneve kryesore gjyqësore në Lisbonë, duke përfshirë Gjykatën Supreme të Drejtësisë, Gjykatën e Apelit të Lisbonës dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Këto shkëmbime mes kolegëve ofruan njohuri praktike mbi zbatimin e standardeve evropiane të të drejtave të njeriut, për t'i bërë vendimet gjyqësore më të qarta dhe për të përdorur mjete dixhitale për të përmirësuar efikasitetin e gjyqësorit. Duke mësuar nga përvoja e Portugalisë, pjesëmarrësit shqiptarë panë se si praktikat moderne mund t'i ndihmojnë gjykatat të menaxhojnë dhe zvogëlojnë më mirë stokun e prapambetur gjyqësor, veçanërisht në çështjet civile, pronësore apo ato penale.

Gjatë vizitës në Gjykatën Supreme të Drejtësisë të Portugalisë, delegacioni u takua me gjyqtarë dhe staf juristësh të lartë, shqyrtoi arkivat dhe departamentet e dokumentacionit të saj, si dhe diskutoi metodat për integrimin e standardeve evropiane të të drejtave të njeriut dhe praktikës gjyqësore në jurisprudencën vendase. Ata vizituan gjithashtu Gjykatën e Apelit të Lisbonës, ku u takuan me Kryetarin, si dhe me zyrtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor për të shkëmbyer pikëpamje mbi menaxhimin e çështjeve, transparencën e mjeteve të drejtësisë elektronike dhe dixhitalizimin. Këto takime ofruan rekomandime praktike se si mund të forcohet efikasiteti i Gjykatës së Lartë të Shqipërisë.

Kjo vizitë studimore u organizua në kuadër të projektit Mbrojtja e të drejtës së pronës dhe lehtësimi i ekzekutimit të vendimeve të GJEDNJ-së në Shqipëri (D-REX III), pjesë e programit të përbashkët rajonal të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës – Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë.

Puna në këtë fushë tematike fokusohet tek burgjet dhe policia (duke përfshirë të drejtat e njeriut në policim, kujdesi shëndetësor në burgje dhe masat mbrojtëse kundër torturës dhe keqtrajtimit), standardet e të drejtave të njeriut në gjyqësor (duke u fokusuar në përmirësimin e zbatimit të praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut), çështjet e migracionit, efikasiteti i sistemeve të drejtësisë (me fokus në analizimin e statistikave gjyqësore për të optimizuar administratat e gjykatave) dhe/ose bashkëpunimi ligjor (i cili përqendrohet në rritjen e pavarësisë individuale të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe llogaridhënies së sistemit gjyqësor).

* Ky përkufizim është pa paragjykim ndaj qëndrimeve për statusin, dhe është në përputhje me Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 1244/1999 dhe Opinionin e GJND-së mbi shpalljen e pavarësisë së Kosovës.