Standardet evropiane për lirinë e shprehjes mund të zbatohen në mënyrë më efektive duke ofruar trajnime në këtë fushë për aktorë të ndryshëm lokalë si gjyqtarë, prokurorë, avokatë, oficerë policie por edhe studentë të cilët më pas mund të zbatojnë këto standarde në punën e tyre aktuale apo të ardhshme. Kjo kontribuon në krijimin e një mjedisi të favorshëm për ushtrimin e lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias në kontekstin e brendshëm.
Trajnimi i Trainerëve mbi Metodologjinë HELP për kurset në internet: "Liria e shprehjes" dhe "Siguria dhe mbrojtja e gazetarëve" u organizua në datat 15-16 Dhjetor 2020 duke promovuar kurset të cilat janë zhvilluar bashkërisht nga Programi i Këshillit të Evropës mbi edukimin e profesionistëve të fushës së drejtësisë për të drejtat e njeriut (HELP) në Ballkanin Perëndimor dhe projektin e përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës "Liria e Shprehjes dhe Liria e Medias në Evropën Jug-Lindore (JUFREX)".
Kurset bazohen në metoda interaktive të të mësuarit, janë pa pagesë dhe lehtësisht të arritshme për këdo të interesuar. Ato përbëjnë mjete të shkëlqyera për të plotësuar materialin tradicional arsimor të përdorur në edukimin juridik dhe më gjerë.
Trajnimi i Trainerëve kishte për qëllim pajisjen me aftësi teknike të nevojshme të pjesëmarrësve dhe tutorëve të ardhshëm të HELP-it, të cilët do të udhëheqin në të ardhmen kurse të HELP-it në nivelin local, përmes platformës në internet HELP, në përputhje me Metodologjinë e Trajnimit të HELP-it.
Trajnimi i ndjekur nga përfaqësuesit e Fakulteteve të Drejtësisë dhe Shkencave Politike si dhe avokatë nga rajoni u organizua nën projektin JUFREX, në partneritet me Sekretariatin HELP dhe Rrjetin e Shkollës së Drejtësisë të Evropës Juglindore (SEELS), një rrjet i dedikuar për të rritur konkurrencën ndërkombëtare dhe performancën e arsimit juridik, kërkimit dhe botimit në Evropën Jug-Lindore.
JUFREX dhe HELP në Ballkanin Perëndimor janë pjesë e "Instrumentit Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë 2019-2022", iniciativë e përbashkët e Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës, e cila synon të ndihmojë Përfituesit në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë të përmbushin standardet e Këshillit të Evropës dhe acquis të Bashkimit Evropian në kuadrin e proceseve të zgjerimit, kur është e nevojshme.