Shqipëria po përparon në përpjekjet për të forcuar reagimin ndaj racizmit dhe gjuhës së urrejtjes, teksa anëtarë të Kuvendit, institucione të pavarura, organizata të shoqërisë civile dhe partnerë ndërkombëtarë u mblodhën sot në Kuvend për të diskutuar prioritete konkrete legjislative dhe të politikave, në përputhje me standardet evropiane. Dialogu parlamentar, i organizuar në bashkëpunim me Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, Bashkimin Evropian dhe Këshillin e Evropës, në kuadër të programit të përbashkët BE dhe Këshillit të Evropës “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë”, u fokusua në mënyrat se si mund të përmirësohet më tej kuadri ligjor dhe institucional mbi barazinë, mosdiskriminimin dhe luftën kundër gjuhës së urrejtjes.
Në hapje të aktivitetit, Jorida Tabaku, Kryetare e Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, nënvizoi: “Shqipëria dëshmon një vullnet të qartë dhe të padiskutueshëm politik për të avancuar barazinë dhe mosdiskriminimin, dhe Kuvendi është i angazhuar për të forcuar kuadrin ligjor në përputhje me standardet evropiane”.
Giulia Re, Kreu i Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, u shpreh: “Shqipëria ka bërë përparim të rëndësishëm në përafrimin e kuadrit të saj ligjor me standardet evropiane. Nevojiten përpjekje të vazhdueshme për të garantuar zbatimin efektiv, forcimin e bashkëpunimit institucional dhe adresimin e boshllëqeve ekzistuese”.
Andre Rizzo, Shef i Sektorit Politik, Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, theksoi se adresimi i racizmit dhe gjuhës së urrejtjes është një pjesë thelbësore e rrugëtimit të Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, si dhe i sigurimit të mbrojtjes efektive të të drejtave themelore, në ligj dhe në praktikë.
Aktiviteti përfshiu prezantimin e gjetjeve nga analiza krahasuese e politikave kundër racizmit në vendet përfituese të përfshira në procesin e anëtarësimit në BE, dhe studimit “Përtej Përkufizimeve – Thirrje për Veprim kundër Gjuhës së Urrejtjes në Shqipëri”. Diskutimet u fokusuan në sfidat që lidhen me bashkërendimin institucional, mbledhjen e të dhënave, ndërgjegjësimin publik dhe zbatimin, si dhe në masat konkrete për të adresuar këto boshllëqe. Dialogu u mbyll me një shkëmbim mendimesh mbi prioritetet për forcimin e reagimit të Shqipërisë ndaj racizmit dhe gjuhës së urrejtjes, përfshirë edhe rolin e Kuvendit në avancimin e reformave legjislative në përputhje me standardet evropiane.
Ky aktivitet u organizua në kuadër të projekteve ‘Promovimi i barazisë dhe luftimi i racizmit dhe intolerancës në Ballkanin Perëndimor’ dhe ‘Fuqizimi i mbrojtjes nga diskriminimi në Shqipëri’, pjesë e programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës ‘Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë’. Këto projekte synojnë të mbështesin autoritetet dhe aktorët nga Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor në përforcimin e kuadrit ligjor dhe institucional për barazinë dhe mosdiskriminimin, në përputhje me standardet evropiane, përfshirë ato të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ) dhe Komisionit Evropian kundër Racizmit dhe Intolerancës (ECRI), si dhe acquis të BE-së. Qëllimi është të nxitet zhvillimi i politikave, bashkëpunimi institucional dhe ndërtimi i kapaciteteve, si dhe të promovohen përgjigje efektive ndaj diskriminimit, racizmit dhe gjuhës së urrejtjes në ligj dhe në praktikë, në kuadër të proceseve specifike të integrimit në Bashkimin Evropian.
Kontakte:
Iva Çoku, Drejtuese e Lartë Projekti, Këshilli i Evropës, +355695586499
Besnik Baka, Oficer Rajonal i Komunikimit për Instrumentin Horizontal, Këshilli i Evropës, +355692178430

