Back Nga Siria, tek Ri-integrimi: Mbështetje të Dënuarve për Ekstremizëm të Dhunshëm në Sistemin e Provës në Shqipëri

Tiranë / Shqipëri 4 Maj2026
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page
  • Imprimer en PDF
Julinda Manja & Roland Suli

Julinda Manja & Roland Suli

Me rrobat e saj të errëta, Fatime* qëndron e ulur në heshtje, duket sikur nuk ka interes për asnjë bisedë dhe pret me padurim të takojë Oficerin e saj të Provës në Tiranë. Çdo tre muaj, ajo duhet të paraqitet dhe të diskutojë progresin e saj me autoritetet e provës. Ajo është një nga nëntë gratë që u kthyen në tetor 2024 pas shumë vitesh në Siri, ku ajo u gjend në një konflikt larg atdheut të saj, duke mbijetuar vështirësi të paimagjinueshme. Tani, si nënë, vajzë dhe e dënuar e ekstremizmit të dhunshëm, Fatime përballet me sfidën e madhe të ri-integrimit nën mbikëqyrjen e Shërbimit Shqiptar të Provës. Kthimi i saj, së bashku me tetë gra të tjera, shënon një hap të rëndësishëm për sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Për vite me radhë, gratë si ajo shiheshin vetëm si viktima, të cilat kishin nevojë për kujdes psikologjik dhe mbështetje, në vend të ndjekjes penale. Megjithatë, me përkufizimet ligjore që tashmë janë zhvilluar dhe sqaruar, Fatime u dënua me shërbim prove — një sanksion dhe masë komunitare, që përfshin edhe ndihmën për përfshirjen sociale të të dënuarit. Vendimi për të dënuar te burgosurit e ekstremizimit të dhunshëm nën regjimin e provës është një qasje progresive dhe humane ndaj drejtësisë dhe ri-integrimit në komunitet. Duke njohur se rehabilitimi dhe ri-integrimi efektiv kërkojnë më shumë se sa burgosjen, autoritetet shqiptare, me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës, kanë qenë të parët që kanë zhvilluar mjete dhe programe të duhura për të mbështetur te burgosurit e ekstremizmit të dhunshëm në proceset e tyre të rehabilitimit dhe ri-integrimit efektiv. Roland Suli, oficer prove në Mat, është një nga ata që ka marrë pjesë në aktivitetet e specializuara për ngritjen e kapaciteteve mbi menaxhimin dhe rehabilitimin e të burgosurve të ekstremizmit të dhunshëm, në kuadër të projektit të përbashkët të BE-së dhe Këshillit të Evropës “Fuqizimi i bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor në menaxhimin e ekstremizmit të dhunshëm në burgje dhe parandalimin e radikalizimit të mëtejshëm pas lirimit.” Suli thekson rëndësinë e pajisjes së stafit të provës me mjete të avancuara për vlerësimin e shenjave të mundshme të radikalizimit dhe përshtatjen e programeve individuale të ndërhyrjes. Ai thekson se këto instrumente janë thelbësore për vlerësimin e nevojave unike dhe faktorëve që ndikojnë në rehabilitimin dhe integrimin e secilit individ. “Një mjet që bie në sy është Plani i Trajtimit Individual. Ai i shton thellësi qasjes sonë, duke siguruar që ndërhyrjet të mos jenë vetëm reaguese, por edhe proaktive dhe gjithëpërfshirëse,” tregon ai. Për Rolandin, trajnimi ishte transformues, duke përmirësuar si njohuritë teknike ashtu edhe vetëbesimin profesional.

Trajnerja Julinda Manja, inspektore prove në Tiranë dhe një nga oficeret e para që nisi programin aktual të trajnimit, nënvizon rëndësinë e diferencimit mes grave të burosura të ekstremizmit të dhunshme në provë dhe atyre në ambiente penitenciare. “Fillimisht, kjo qasje e riintegrimit ishte e lidhur vetëm me sistemin penitenciar, por ne lobuam për zhvillimin e saj edhe brenda Shërbimit të Provës, duke njohur veçantitë, sidomos për gratë e kthyera nga Siria,” shpjegon ajo. Me mbështetjen e Këshillit të Evropës, Shërbimi i Provës tashmë ka zhvilluar dhe testuar me sukses mjetet e reja të përshtatura posaçërisht për këtë kategori të dënuarish. “Që nga integrimi gradual i këtyre instrumenteve, ndjeshmëria dhe bashkëpunimi me këtë komunitet është rritur dukshëm. Në fillim kishte skepticizëm dhe distancë, por sot komunikimi me ta është shumë më i lehtë,” pranon Julinda. Ndërhyrjet tashmë janë duke u zgjeruar, duke u fokusuar jo vetëm te gratë e kthyera, por edhe tek familjet e tyre, të cilat gjithashtu mund të jenë në rrezik. Mësojmë se në disa bashki, siç është Mati, një grup pune me aktorë të ndryshëm, i udhëhequr nga prefekti vendor, mblidhet çdo tremujor për të shqyrtuar menaxhimin e të burgosurve të ekstremizmit të dhunshëm, vlerësimin e rreziqeve përkatëse dhe adresimin e rasteve të reja. Këto takime nxjerrin në pah një mësim të rëndësishëm: se ri-integrimi i suksesshëm kërkon bashkëpunimin e aktorëve të ndryshëm si dhe përdorimin e mjeteve dhe metodologjive të duhura të përshtatura specifikisht për institucionet.

Ndërkohë që aktivitetet për ngritjen e kapaciteteve vazhdojnë, mjetet dhe metodologjitë e Këshillit të Evropës, të përshtatura për shërbimin e provës, po sigurojnë një ri-integrim gradual në shoqëri për të burgosurit e ekstremizmit të dhunshëm. Për Fatimen dhe gratë si ajo, kjo qasje nënkupton njohjen e tyre jo vetëm si ish-të dënuara, por si individë që meritojnë dinjitet dhe ndihmë në rrugën e tyre për t’u rikthyer në jetën e komunitetit.

 

 



*Emri është ndryshuar për të mbrojtur identitetin e subjektit.