Back Brezat e rinj të gazetarëve mësojnë si të luftojnë gjuhën e urrejtjes në media

TIRANE, SHQIPERI 8 Maj 2024
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page
  • Imprimer en PDF
Brezat e rinj të gazetarëve mësojnë si të luftojnë gjuhën e urrejtjes në media

Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë i Universitetit të Tiranës mbajti një leksion të hapur me fokus gjuhën e urrejtjes, duke mbledhur studentë të gazetarisë dhe ekspertë për të diskutuar mbi luftën kundër gjuhës së urrejtjes, veçanërisht në media. Organizuar nga Aleanca kundër Gjuhës së Urrejtjes me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës, takimi theksoi nevojën urgjente për të adresuar dhe zbutur gjuhën e urrejtjes brenda shoqërisë.

Aktiviteti pati një prezantim të detajuar nga Mirela Oktrova rreth rolit të ‘Aleancës kundër Gjuhës së Urrejtjes’ dhe përpjekjeve të Autoritetit të Mediave Audiovizive në këtë luftë të rëndësishme kundër gjuhës së urrejtjes në media. Prezantimet pasardhëse u mbajtën nga Vilma Shurdha, Komisionere pranë Avokatit të Popullit, e cila diskutoi mbi identifikimin dhe luftën kundër gjuhës së urrejtjes në jetën e përditshme, dhe Robert Gajda, Komisioner për Mbrojtjen nga Diskriminimi, i cili hodhi dritë mbi qasjet praktike për trajtimin ligjor të gjuhës së urrejtjes.

Klodiana Gjenerali, nga Këshilli Shqiptar i Medias, theksoi sfidat dhe strategjitë që lidhen me gjuhën e urrejtjes në mediat e reja.

Kjo u pasua nga një diskutim i hapur, duke mundësuar një shkëmbim të gjallë idesh ndërmjet pjesëmarrësve.

Aleanca kundër Gjuhës së Urrejtjes është një nismë e Avokatit të Popullit, Autoritetit të Mediave Audiovizive, Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Këshillit Shqiptar të Medias që synon të forcojë bashkëpunimin e palëve të interesuara për të adresuar këtë fenomen në shoqëri.

Takimi jo vetëm që siguroi një platformë për mësim dhe diskutim, por gjithashtu përforcoi angazhimin e komunitetit akademik për të nxitur një kornizë mediatike më gjithëpërfshirëse dhe respektuese. Ai ofroi njohuri mbi efektet e dëmshme të gjuhës së urrejtjes, por gjithashtu pajisi studentët e gazetarisë me mjete dhe njohuri për ta luftuar atë në mënyrë efektive në karrierën e tyre të ardhshme.

Duke nxitur dialogun dhe bashkëpunimin midis aktorëve kryesorë, takimi shënon një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një shoqërie më gjithëpërfshirëse dhe tolerante në Shqipëri.

Ky aktivitet u organizua në kuadër të projekteve Fuqizimi i mbrojtjes nga diskriminimi në Shqipëri dhe Mbrojtja e lirisë së shprehjes dhe e medias në Shqipëri të cilët janë pjesë e programit të përbashkët të Bashkimit Europian dhe Këshillit të Europës Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë.