Brezi i ri i Ambasadorëve të Rinj Evropianë vazhdon të luajë një rol themelor në luftën kundër gjuhës së urrejtjes në rajonet e Ballkanit Perëndimor dhe Vendet e Lindjes. Në një seri seminaresh online, më shumë se 50 Ambasadorë të Rinj Evropianë përfunduan programin e trajnimit mbi luftën kundër gjuhës së urrejtjes dhe përpilimin e kundër-narrativave, organizuar me mbështetjen e BE-së dhe Këshillit të Evropës. Përgjatë këtyre aktiviteteve ndërgjegjësuese, pjesëmarrësit mësuan më shumë rreth koncepteve kyçe të të drejtave të njeriut, anti-diskriminimit dhe luftimit të gjuhës së urrejtjes, si dhe si të njohin dhe të veprojnë kundër gjuhës së urrejtjes dhe si të përpilojnë kundër-narrativa ndaj gjuhës së urrejtjes. Në të ardhmen, ambasadorët e rinj, të cilët tashmë janë fuqizuar me mjetet dhe aftësitë e nevojshme për të luftuar diskriminimin, do ta përcjellin më tej mesazhin për një shoqëri të lirë dhe të barabartë në komunitetet e tyre lokale.
Gjatë seminareve, grupi i ambasadorëve të rinj evropianë patën mundësi të rrisin njohuritë e tyre mbi punën e Këshillit të Evropës për sa i përket mbrojtjes e të drejtave të njeriut dhe luftimit të diskriminimit dhe gjuhës së urrejtjes. Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës, përmes zbatimit të programeve të përbashkëta: “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë” dhe “Partneriteti për Qeverisje të Mirë” kanë vënë një fokus të veçantë në luftën kundër gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit. Fushata “Blloko urrejtjen. Fal dashuri” e zbatuar në kuadër të programit të Instrumentit Horizontal dhe fushata e mëparshme “Lëvizja Kundër Gjuhës së Urrejtjes” e zbatuar nga Këshilli i Evropës janë disa nga shembujt e mirë të ndarë me pjesëmarrësit në lidhje me përpjekjet për të rritur ndërgjegjësimin dhe përgatitjen e kundër-narrativeve për të luftuar gjuhën e urrejtjes.
Programi “Ambasadorët e Rinj Evropianë” është një nismë e Bashkimit Evropian, për të krijuar dhe zhvilluar një rrjet ndërmjet të rinjve për ndarjen e ideve, aftësive dhe promovimin e vlerave dhe mundësive të BE-së. Në këtë kontekst, roli i tyre në mbështetjen e luftës kundër gjuhës së urrejtjes dhe përgatitjen e kundër-narrativave në përputhje me vlerat dhe standardet evropiane është thelbësor në procesin e promovimit të barazisë dhe diversitetit në rajonet e Ballkanit Perëndimor dhe Vendet e Lindjes.
Këto aktivitete u organizuan në kuadër të projektit “Promovimi i barazisë dhe mosdiskriminimit: drejt shoqërive më elastike dhe gjithëpërfshirëse” dhe projektit “Promovimi i barazisë dhe luftimi i racizmit dhe intolerancës në Ballkanin Perëndimor”, që janë pjesë e programeve të përbashkëta të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Partneritet për Qeverisje të Mirë” dhe “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë”.