Back Ritheksohet angazhimi i institucioneve publike administrative për të forcuar bashkëpunimin institucional në trajtimin sa më efektiv të kërkesave lidhur me pronën

Tiranë 26 qershor 2024
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page
  • Imprimer en PDF
Ritheksohet angazhimi i institucioneve publike administrative për të forcuar bashkëpunimin institucional në trajtimin sa më efektiv të kërkesave lidhur me pronën

Tryeza e parë koordinuese, e fokusuar në trajtimin e të drejtës së pronës me pjesëmarrjen e institucioneve të administratës publike, u mbajt në Tiranë më 26 qershor 2024. Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të asistencës së vazhdueshme të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës, dhënë autoriteteve publike në Shqipëri, me qëllimin për të sjellë bashkë institucione të ndryshme administrative që të diskutojnë dhe koordinojnë përpjekjet për të vazhduar përafrimin e legjislacionit në fushën e të drejtës së pronës me standardet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ).

Kjo platformë luan një rol të rëndësishëm për të përcaktuar situatën dhe progresin e bërë nga Agjencia për Trajtimin e Pronës (ATP) në shqyrtimin e më shumë se 7,000 kërkesave në pritje për kompensimin e pronave brenda afatit ligjor të dhjetorit 2024, pas një pezullimi katër-mujor të ligjit nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë. Aktiviteti synon të lehtësojë bashkëpunimin dhe komunikimin midis ATP-së dhe institucioneve që punojnë në fushën e të drejtës së pronës për të thjeshtuar procesin e kompensimit dhe për të identifikuar pengesat ekzistuese ose vonesat në proces. Zbatimi efektiv dhe uniform i kuadrit ligjor për të drejtat e pronësisë siguron drejtësi dhe barazi për pronarët e dikurshëm të shpronësuar në Shqipëri, në respektim të plotë të praktikës gjyqësore përkatëse të GJEDNJ.

Pjesëmarrës në tryezë ishin zyrtarë të lartë të Agjencisë për Trajtimin e pronës, Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Financës, Ministrit të Shtetit për Qeverinë Lokale, Avokaturës së Shtetit, Agjencisë Kombëtare për Planifikimin e Territorit, Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin, Avokatit të Popullit, si edhe ekspertë ligjorë, të cilët sollën praktikat e tyre më të mira, sfidat dhe strategjitë për mbrojtjen dhe sigurimin e mekanizmave efektivë të zbatimit. 

Të pranishmit shkëmbyen ide dhe përvoja mes tyre, veçanërisht me Agjencinë e Trajtimit të Pronës, mbi ecurinë e zbatimit të procesit të njohjes dhe vlerësimit të kompensimit të pronës brenda afatit të përcaktuar në ligj. Lidhur me këtë, pjesëmarrësit dhanë sugjerime për përgatitjen e një Plan-Veprimi Institucional nga ATP-ja, si masë konkrete për të përballuar me efektivitet problemet e mbartura.

Tematika tjetër praktike e trajtuar në Tryezë, kishte të bënte me ideentifikimin e zgjidhjeve të përshtatshme mbi pengesat në bashkëpunimin ndër-institucional ndërmjet Agjencisë për Trajtimin e Pronës dhe Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Duke pasur parasysh rëndësinë dhe urgjencën e përparimit në procesin e kompensimit të pronave, të dy autoritetet ranë dakord të heqin dorë nga aplikimi i tarifave financiare në rast të proceseve të koordinuara të punës. Kjo qasje përbën një hap konstruktiv përpara dhe ndikon pozitivisht në përshpejtimin e afateve të përpunimit të dosjeve të kompensimit dhe ofrimit të shërbimeve për qytetarët.

Në përgjithësi, diskutimet mes pjesëmarrësve theksuan nevojën për praktika sa më efektive dhe më të mira lidhur me zbatimin e legjislacionit në fuqi me qëllim mbrojtjen e të drejtës së pronës të qytetarëve dhe shërbimet e lidhura me të, si dhe për të kontribuar në një proces më efikas dhe të barabartë për palët e përfshira.

Ky aktivitet u organizua në kuadër të projektit “Përmirësimi i mbrojtjes së të drejtës së pronës dhe lehtësimi i ekzekutimit të vendimeve të GJEDNJ në Shqipëri (D-REX III)”, të programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë".