Stafi dhe drejtuesit e burgjeve nga vendet përfituese të Ballkanit Perëndimor ndërmorën një hap të madh përpara në forcimin e shëndetit mendor dhe sigurisë në burgje, në përputhje me standardet evropiane. Takimi rajonal në Tiranë prezantoi “Udhëzuesin për vlerësimin e shëndetit mendor të të burgosurve ekstremistë të dhunshëm, të burgosurve të margjinalizuar dhe të burgosurve të ndjeshëm ndaj radikalizimit” si dhe “Mjetin e vlerësimit fillestar për identifikimin e shenjave të çrregullimeve mendore”. Zhvilluar me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe të Këshillit të Evropës, këto instrumente janë tashmë në dispozicion të të gjitha sistemeve penitenciare të Përfituesve të Ballkanit Perëndimor.
Pjesëmarrës nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova*, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia fituan njohuri praktike mbi standardet dhe parimet ndërkombëtare për promovimin e shëndetit mendor të të burgosurve, si dhe parandalimin dhe menaxhimin e çrregullimeve mendore.
Pjesëmarrësit miratuan Udhëzuesin dhe Mjetin si instrumente të dobishme dhe të besueshme që ndihmojnë stafin jo-mjekësor të burgjeve të zbulojnë dhe të përgjigjen ndaj shenjave të çrregullimeve mendore tek të burgosurit ekstremistë të dhunshëm, të burgosurit e margjinalizuar dhe të burgosurit e ndjeshëm ndaj radikalizimit.
Ky aktivitet u organizua nga projekti rajonal Forcimi i bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor për menaxhimin e ekstremizmit të dhunshëm në burgje dhe parandalimin e radikalizimit të mëtejshëm pas lirimit, në kuadër të fazës së tretë të programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe të Këshillit të Evropës Instrumenti Horizontal III.
*Ky përkufizim është pa paragjykim ndaj qëndrimeve për statusin, dhe është në përputhje me Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 1244/1999 dhe Opinionin e GJND-së mbi shpalljen e pavarësisë së Kosovës.