Back Manual mbi Hetimin e Krimeve të Urrejtjes kundër personave LGBTI në Shqipëri

Manual mbi Hetimin e Krimeve të Urrejtjes kundër personave LGBTI në Shqipëri

Oficerët e policisë janë në vijën e pare të frontit të sistemit të drejtësisë penale dhe pika e parë e kontaktit për shumë viktima të krimeve të urrejtjes. Për t'i ndihmuar ata në zhvillimin e aftësive thelbësore për të identifikuar dhe hetuar krimet e urrejtjes kundër personave LGBTI, një manual i Këshillit të Evropës "Hetimi i Krimeve të Urrejtjes kundër personave LGBTI: Manual trajnimi për një forcë policore profesioniste." është përshtatur në shqip, nën projektin e përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës mbi "Promovimin e Diversitetit dhe Barazisë në Shqipëri" pjesë e Instrumentit Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë 2019-2022. Manuali është krijuar si një mjet praktik për trajnerët e policisë, hetuesit, menaxherët, oficerët e krimit të urrejtjes dhe oficerët e policisë në vijën e frontit për t'iu përgjigjur në mënyrë efikase krimit të urrejtjes.

Grupi i parë prej 400 manualësh u shpërnda në Akademinë e Policisë dhe Fakultetin e Sigurisë, Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë dhe komisariate të ndryshme policie në Tiranë. Në bashkëpunim me Policinë e shtetit, Aleanca LGBT dhe Pro LGBT, Akademia e Policisë organizoi një takim për të prezantuar manualin me studentë dhe oficerë policie. Prof.Dr. Ilirjan Mandro, Dekan i Fakultetit të Sigurisë dhe Hetimit, nënvizoi se “… manuali dhe broshurat shoqëruese janë një bazë e mirë didaktike për stafin mësimdhënës, për ta përdorur atë si literaturë për oficerët e policisë kandidatë, si dhe trajnimi i vazhdueshëm i stafit të karrierës. Broshura jep përgjigje të shpejtë dhe efektive për çdo hezitim ose paqartësi që mund të kenë oficerët e policisë”.

Dy takime të tjera u organizuan me të njëjtin qëllim në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë dhe komisariatin numër 1 në Tiranë. Një total prej 1000 kopjesh të manualit do të shpërndahen në komisariatet e policisë në të gjithë Shqipërinë.

Projekti për "Promovimin e Diversitetit dhe Barazisë në Shqipëri", pjesë e programit të perbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës "Instrumenti Horizontal II", do të vazhdojë të mbështesë dhe konsolidojë bashkëpunimin midis policisë së shtetit dhe OSHC-ve LGBTI, bazuar në rezultatet pozitive dhe përvojat e vendosura deri më tani.

 

Tiranë 2 Prill 2021
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page