I themeluar në vitin 2018 me mbështetje nga Këshilli i Evropës dhe Bashkimi Evropian, Mekanizmi për kontroll të jashtëm i përkrahë dhe mbron viktimat, të cilëve ju shkelen të drejtat e njeriut nga personat me autorizime policore ose policia e burgjeve, duke siguruar hetim efektiv për të gjitha pretendimet e këtilla.
Dy vite pas themelimit të këtij Mekanizmi, në tryezën e rrumbullakët të 28 prillit u takuan njëzetë përfaqësues të palëve të përfshira, për të diskutuar rreth arritjeve kryesore dhe sfidave praktike me të cilat ballafaqohet Mekanizmi. Udhëheqësit e seksioneve të Mekanizmit në suazat e Prokurorisë Publike, si dhe Avokatit të Popullit, përfaqësuesit e organizatave qytetare që janë pjesë e mekanizmit, si dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme (Departamenti për kontroll të brendshëm, hetime kriminale dhe standarde profesionale), u takuan në këtë tryezë, të shoqëruar edhe nga konsulentja e Këshillit të Evropës, profesorë universitarë, gjykatës dhe eprorë të lartë policorë nga rajoni i apelit Manastir.
Gjatë takimit u konstatua që është arritur avancim i dukshëm në trajtimin e rasteve të keqtrajtimit policor dhe mosndëshkueshmërisë në Maqedoninë e Veriut, por megjithatë, ekzistojnë dhe sfida dhe mangësi që duhen trajtuar. Është shumë e rëndësishme që organizatat qytetare të zgjedhura të integrohen plotësisht në Mekanizëm de facto, ndërkohë që Seksioni për kontroll të jashtëm në kornizat e Prokurorisë duhet të angazhojnë më tepër hetues. Këshilli i Evropës është i gatshëm ta mbështesë Mekanizmin duke siguruar trajnime shtesë për personelin, hartuar protokoll për komunikim efektiv dhe ekspertizë për tejkalimin e dallimeve në legjislativë. Përveç kësaj, si pjesë e aktiviteteve të projektit, në të gjitha burgjet dhe stacionet policore në vend janë shpërndarë materiale të shtypura për rritjen e vetëdijes rreth Mekanizmit.
Ky aktivitet u organizua në kuadër të projektit “Rritja e kapaciteteve të sistemit penitenciar dhe mekanizmit të mbikëqyrjes së jashtme në Maqedoninë e Veriut,” që bashkë-financohet nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli Evropës, në suazat e “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë 2019-2022”, zbatuar nga Këshilli i Evropës