Një fokus kyç i mbështetjes së vazhdueshme të Këshillit të Evropës për institucionet penitenciare shqiptare është përmirësimi i trajtimit të pacientëve mjeko-ligjorë duke udhëzuar mjekët dhe stafin psiko-social të institucionit të posaçëm provizor Lezhë për përdorimin e mjeteve moderne të diagnostikimit.
Në këtë kuadër u zhvillua në Tiranë një trajnim dy-ditor, i cili mblodhi së bashku 16 profesionistë që përfaqësojnë institucionin e posaçëm provizor Lezhë, Drejtorinë e Përgjithshme të Administratës së Burgjeve dhe Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Trajnimi u fokusua në prezantimin e "Instrumentit klinik për matjen e historisë së riskut dhe menaxhimin e tij" të përditësuar, i cili përdoret zakonisht në Institucionet penitenciare, institucionet mjeko-ligjore, si dhe mjediset e përgjithshme ose civile psikiatrike në shtetet anëtare të Këshillit të Evropës. Kjo metodologji i lejon profesionistët në fushën penitenciare të përcaktojnë praninë e 20 faktorëve të rrezikut të dhunës në pacientët e vlerësuar, duke ndihmuar në formimin e një gjykimi profesional të strukturuar objektiv.
Gjatë trajnimit pjesëmarrësit patën gjithashtu mundësinë të praktikojnë aplikimin e instrumentit me raste studimore të ndryshme si dhe të hartojnë plane për menaxhimin e riskut për kategori të ndryshme të pacientëve mjeko-ligjorë. Kjo metodologji e avancuar konsiderohet si një diagnostikim i besueshëm në psikiatrinë ligjore, duke lejuar vlerësimin e rrezikut të dhunës me një saktësi prej 80%.
Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale po planifikojnë të prezantojnë zyrtarisht përdorimin e “Instrumenti klinik per matjen e historise se riskut dhe menaxhimin e tij” në institucionin e posaçëm provizor Lezhë.
Trajnimi u zhvillua në kuadrin e programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe të Këshillit të Evropës Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë – Faza III, dhe në veçanti projekti Forcimi i mbrojtjes së të drejtave të njeriut të personave të dënuar në Shqipëri.