Back Përmirësimi i së drejtës për punësim, arsim dhe shëndetësi për komunitetin LGBTI në Shqipëri

Tiranë 21 maj 2024
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page
  • Imprimer en PDF
Përmirësimi i së drejtës për punësim, arsim dhe shëndetësi për komunitetin LGBTI në Shqipëri

Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Ditës Ndërkombëtare kundër Homofobisë, Bifobisë dhe Transfobisë (IDAHOT) Shqipëri, u organizua një diskutim i rëndësishëm publik mbi aksesin në shërbimet për personat e komunitetit LGBTI nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, me mbështetjen e projektit të Anti-Diskriminimit të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës.

Ndërsa Shqipëria ka bërë progres të dukshëm drejt përmirësimit të të drejtave dhe aksesit në shërbime për anëtarët e komunitetit LGBTI, sfidat kryesore vazhdojnë të mbeten sigurimi i aksesit të barabartë në shërbimet kyçe si punësimi, arsimi dhe kujdesi shëndetësor.

Aktiviteti u hap nga zëvendësministrja e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Denada Seferi , e cili theksoi se Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si institucion lider, do të vazhdojë të mbështesë institucionet përgjegjëse, si dhe do të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet e pavarura, si dhe me organizatat e shoqërisë civile, për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të siguruar ofrimin e shërbimeve cilësore  dhe respektimin e e të drejtave të njeriut për personat LGBTI+ në Shqipëri.

Kreu i zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, Giulia Re, u shpreh në fjalën e saj përshëndetëse se akiviteti i sotëm dëshmon se ne jemi pjesë e një shoqërie të përkushtuar ndaj parimeve të barazisë dhe diversitetit dhe duam të krijojmë një shoqëri më gjithëpërfshirëse për të gjithë. Kjo fillon duke u siguruar që çdo individ, pavarësisht nga orientimi i tij seksual apo identiteti gjinor, të ketë akses të barabartë në kujdesin shëndetësor, arsim, punësim dhe shërbime të tjera thelbësore.

I Ngarkuari me Punë i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Andre Rizzo, deklaroi se barazia dhe mosdiskriminimi janë pjesë e vlerave të BE-së. Sigurimi i një aksesi të gjërë dhe të barabartë në shërbimet publike si shëndetësia, arsimi, drejtësia, por edhe strehimi dhe punësimi për të gjithë, për personat LGBTIQ+, por edhe për grupet e tjera vulnerabël është e vetmja mënyrë për t’i bërë realitet të drejtat e njeriut.

Përfaqësues të ministrive të linjës, organizatave të shoqërisë civile dhe organizatave ndërkombëtare vazhduan me diskutime konkrete se si të adresohen sfidat e rëndësishme me të cilat po përballet komuniteti LGBTI në lidhje me aksesin në arsim, shëndetësi dhe punësim. Pjesëmarrësit vunë në dukje se pavarësisht nga fakti se shkollat po miratojnë gjithnjë e më shumë politika kundër bullizmit që trajtojnë bullizmin homofobik dhe transfobik, megjithatë studentët që i përkasin komunitetit LGBTI shpesh përjetojnë ngacmim dhe bullizim.

Një tjetër shkëmbim i rëndësishëm ndërmjet përfaqësuesve të institucioneve publike dhe aktorëve relevantë të kësaj fushe, theksoi se shumë individë të komunitetit LGBTI në Shqipëri përballen me diskriminim në vendin e punës, duke filluar nga procesi i punësimit e deri te mjedisi i përditshëm i punës. Për më tepër, individët e komunitetit LGBTI shpesh përballen me stigmë dhe diskriminim në mjediset e kujdesit shëndetësor, sidomos personat transgjinorë.

Diskutimi aktiv ndërmjet përfaqësuesve të ministrive të linjës dhe organizatave të shoqërisë civile përcaktoi hapat e ardhshëm, duke synuar rritjen e bashkëpunimit të të gjithë aktorëve në përpjekjet për të çuar përpara mbrojtjen e të drejtave të njeriut për komunitetin LGBTI në Shqipëri. Duke punuar së bashku, mund të sigurohet që të gjithë individët, pavarësisht nga orientimi i tyre seksual apo identiteti gjinor, të kenë akses të barabartë në shërbimet që u nevojiten dhe meritojnë.

--------------------------

Ky aktivitet u organizua në kuadër të projektit “Fuqizimi i Mbrojtjes nga Diskriminimi në Shqipëri” pjesë e programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Instrumenti Horizontale për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë ”.