Back Përmirësimi i Performancës së Gjykatave nëpërmjet Sondazheve Vlerësuese: Sistemi i Ri Online Prezantohet në Vlorë

KOMUNIKIM PËR MEDIAT
Vlorë, Shqipëri 17 Nëntor 2023
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page
  • Imprimer en PDF
Përmirësimi i Performancës së Gjykatave nëpërmjet Sondazheve Vlerësuese: Sistemi i Ri Online Prezantohet në Vlorë

– Përdoruesit e gjykatave në Vlorë tashmë do të kenë mundësinë të vlerësojnë cilësinë dhe efikasitetin e performancës së Gjykatave, bazuar në eksperiencat e tyre individuale. Një sistem online i ndërtuar për këtë qëllim u prezantua sot për përfaqësues të lartë nga institucionet e drejtësisë, shoqërisë civile dhe medias, në një aktivitet publik organizuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës.

Në fjalën e saj përshëndetëse Marcela Shehu Anëtare e Këshillit të Lartë Gjyqësor, duke falënderuar Bashkimin Evropian dhe Këshillin e Evropës për mbështetjen e platformës theksoi se: “Anketat e kënaqësisë së përdoruesëve të gjykatës do të mundësojnë identifikimin e problemeve të funksionimit të gjykatave, duke i dhënë më shumë mundësi Këshillit të Lartë Gjyqësor për të evidentuar problemet dhe për të identifikuar masat e duhura”.

Giulia Re – Shefe e Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë në fjalën e saj u fokusua në rëndësinë e një qasjeje drejtësie të përqendruar tek përdoruesi duke theksuar se: “Reagimet e përdoruesve të gjykatave për efikasitetin dhe cilësinë e drejtësisë janë të rëndësishme jo vetëm për të matur impaktin e tyre, por edhe për të rritur besimin e publikut në sistemin e drejtësisë”.

Tidita Fshazi - Menaxhere Programi e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, theksoi rolin e anketave të kënaqësisë së përdoruesve të gjykatës për të mbështetur institucionet e sistemit të drejtësisë të përmirësojnë më tej komunikimin strategjik mbi politikat kyçe.

Gjatë fjalës së saj Emirjana Dimo Gjyqtare e Medias e Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm të Shkallës së Parë – Vlorë, ritheksoi rëndësinë e pjesëmarrjes aktive të përdoruesve në sondazhe duke vlerësuar se: “Reagimet nga përvoja personale e përdoruesve të gjykatës do të ndihmojnë Gjykatën e Shkallës së Parë  së Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë për të përmirësuar shërbimet e ofruara”.
 

Komentet e dhëna nga shumë përdorues të gjykatave do të ndihmojnë në identifikimin dhe analizimin e mangësive si dhe t'i korrigjojë ato në koordinim me institucionet e tjera përkatëse. I njëjti sistem u prezantua një vit më parë dhe është funksional në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për t'u integruar më tej në gjykatat e mbetura në Shqipëri. Ky sistem është i aksesueshëm përmes faqeve përkatëse të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Gjykatave të Rretheve Vlorë dhe Tiranë.

Komentet e përdoruesve të gjykatave janë një mekanizëm shtesë përgjegjshmërie që do të kontribuojë në rritjen e besimit të publikut në sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Gjithashtu, do t'i mundësojë Këshillit të Lartë Gjyqësor të përmirësojë më tej strategjitë dhe planet që kontribuojnë në qëllimin e përbashkët – një sistem drejtësie më efikas dhe shërbim gjyqësor të përmirësuar për qytetarët shqiptarë.

 

Kjo iniciativë e Këshillit të Lartë Gjyqësor mundësohet me mbështetjen e projektit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Forcimi i cilësisë dhe efikasitetit të drejtësisë në Shqipëri (SEJ IV)”, pjesë e programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë”  – Faza III.        

Për më shumë informacion:         

  • Emirjana Dimo – Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, [email protected];
  • Besnik Baka – Oficer për Komunikimin – Zyra e Këshillit të Evropës në Tiranë, [email protected].