Back Identiteti ka rëndësi: promovimi i vet-identifikimit të pakicave kombëtare në Kukës

Kukës / Albania 10 mars 2026
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page
  • Imprimer en PDF
Identiteti ka rëndësi: promovimi i vet-identifikimit të pakicave kombëtare në Kukës

Ministria e Punëve të Brendshme, në bashkëpunim me Komitetin për Pakicat Kombëtare, organizoi sot në Kukës një tryezë të rrumbullakët me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit dhe informimin e komuniteteve vendore mbi procedurën e vet-identifikimit si pjesëtar/e i/e një pakice kombëtare, në përputhje me aktet nënligjore përkatëse. E mbështetur nga Projekti i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Fuqizimi i mbrojtjes nga diskriminimi në Shqipëri” dhe nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, aktiviteti mblodhi përfaqësues të pakicave bullgare, rome, egjiptiane, maqedonase dhe serbe, si edhe përfaqësues të institucioneve publike dhe organizatave të shoqërisë civile.

Aktiviteti u hap nga Kostantina Beziani, Kryetare e Komitetit për Pakicat Kombëtare, Giulia Re, Kreu i Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, dhe Cinzia Tarletti, Shefe Sektori pranë Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri. Në fjalën e tyre hapëse, ato theksuan rëndësinë e vet-identifikimit të informuar dhe vullnetar si një element kyç për garantimin e mbrojtjes efektive të të drejtave të pakicave dhe për mbështetjen e proceseve vendimmarrëse gjithëpërfshirëse.

Gjatë takimit, pjesëmarrësit u njohën me dy materiale praktike të hartuara së fundmi, të cilat synojnë të lehtësojnë procesin e vet-identifikimit:

Materialet informuese u shpërndanë gjatë aktivitetit dhe janë gjithashtu të disponueshme online, me qëllim garantimin e një shtrirjeje dhe aksesueshmërie më të gjerë. Tryeza e rrumbullakët në Kukës krijoi gjithashtu hapësirë për diskutim të hapur, duke u mundësuar pjesëmarrësve të parashtrojnë pyetje dhe të shkëmbejnë mendime me përfaqësues të Komitetit për Pakicat Kombëtare dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Në javët në vijim do të organizohen edhe dy tryeza të tjera të rrumbullakëta, përkatësisht më 27 mars në Dropull dhe më 31 mars në Korçë. Këto aktivitete do të kontribuojnë më tej në rritjen e ndërgjegjësimit të komuniteteve vendore dhe në nxitjen e pjesëmarrjes së informuar në procesin e vet-identifikimit në rajone të ndryshme të Shqipërisë, pas miratimit të plotë të legjislacionit dytësor në zbatim të Ligjit nr. 96/2017 ‘’Për mbrojtjen e pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë’’.

Kjo nismë mbështetet nga Projekti “Fuqizimi i mbrojtjes nga diskriminimi në Shqipëri”, pjesë e programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë”, në bashkëpunim me Prezencën e OSBE-së në Shqipëri.