Back Nga ndërgjegjësimi drejt veprimit konkret: Fuqizimi i policimit kundër diskriminimit në Shqipëri

Tiranë, Shqipëri 18 Shkurt 2026
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page
  • Imprimer en PDF
Nga ndërgjegjësimi drejt veprimit konkret: Fuqizimi i policimit kundër diskriminimit në Shqipëri

Një total prej 426 studentë nga të tre vitet akademike të Akademisë së Sigurisë në Tiranë rriten kapacitetet e tyre për adresimin e krimeve të urrejtjes, pjesë e “Javës kundër Diskriminimit” të këtij viti. Java organizohet çdo muaj shkurt nga Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës, në kuadër të projektit të përbashkët Fuqizimi i mbrojtjes nga diskriminimi në Shqipëri.

Nëpërmjet disa sesionesh trajnimi të zhvilluara më 9, 10 dhe 16 shkurt 2026, oficerët e ardhshëm të policisë përmirësuan aftësitë e tyre praktike për të identifikuar rastet e paragjykimit, për të klasifikuar dhe hetuar saktë krimet e urrejtjes, për të siguruar dokumentimin dhe raportimin e duhur, si dhe për të zbatuar një qasje të përqendruar te viktima, në përputhje me standardet evropiane të të drejtave të njeriut.

Sesionet theksuan gjithashtu rëndësinë e policimit pa diskriminim dhe të trajtimit të barabartë, duke kontribuar në reagime më profesionale, të përgjegjshme dhe gjithëpërfshirëse nga strukturat e zbatimit të ligjit.

Mbështetja e ofruar nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës shtrihet përtej aktiviteteve të Javës Kundër Diskriminimit. Ajo është pjesë e një bashkëpunimi të vazhdueshëm me Akademinë e Sigurisë dhe Policinë e Shtetit, me synim integrimin e parimeve për luftën kundër krimeve të urrejtjes dhe diskriminimit në kurrikulën e trajnimit policor dhe në praktikën e përditshme. Duke përforcuar njëkohësisht njohuritë institucionale dhe aftësitë praktike, projekti kontribuon në përmirësimin e parandalimit, identifikimit dhe hetimit të krimeve të urrejtjes në Shqipëri.

Kjo mbështetje afatgjatë rikonfirmon angazhimin e vazhdueshëm të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës për të fuqizuar reagimin institucional dhe për të promovuar një kulturë policimi të bazuar në barazi, dinjitet dhe respekt për të gjithë.