Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës riafirmuan mbështetjen e tyre të vazhdueshme për autoritetet në avancimin e reformave aktuale për forcimin e të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe demokracisë, përmes programit të tyre të përbashkët “Instrumementi Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë”.
Takimi i Komitetit Drejtues të Përfituesve të programit mblodhi në Prishtinë përfaqësues të institucioneve kryesore përfituese, partnerëve ndërkombëtarë, si dhe organizatave të shoqërisë civile për të shqyrtuar progresin e arritur dhe për të diskutuar prioritetet për bashkëpunimin e ardhshëm.
Claus Neukirch, Drejtor i Drejtorisë së Koordinimit të Programeve në Këshillin e Evropës, theksoi bashkëpunimin e suksesshëm me autoritetet publike dhe akterët e tjerë në përparimin e reformave strategjike dhe në përafrimin e mëtejshëm të legjislacionit dhe praktikave vendore me standardet evropiane. “Përmes Instrumentit Horizontal, ne po nxisim pronësinë e institucioneve përfituese, duke ndërtuar kështu bazën për qëndrueshmërinë afatgjatë të ndërhyrjeve. Për të dhënë vetëm një shembull: Akademia e Drejtësisë ka integruar modulet e trajnimit të Këshillit të Evropës për lirinë e shprehjes në programin e tyre zyrtar të trajnimit për vitin 2026,” theksoi Neukirch.
Florim Canolli, Drejtor i Zyrës së Bashkëpunimit për Zhvillim - Zyra e Kryeministrit, nënvizoi asistencën e përshtatur që ofrohet nga Instrumenti Horizontal, duke riafirmuar përkushtimin e autoriteteve për të ruajtur bashkëpunim efektiv gjatë gjithë zbatimit të tij. “Dua të theksoj partneritetin strategjik mes qeverisë sonë dhe Këshillit të Evropës, i cili bazohet në përkushtimin tonë institucional ndaj standardeve më të larta të të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit,” tha Canolli.
Hubert Perr, Shefi i Bashkëpunimit në Zyrën e Bashkimit Evropian në Prishtinë, vuri në dukje partneritetin efektiv midis të gjithë aktorëve në përparimin e reformave kyçe, thelbësore për procesin e integrimit evropian. “Instrumenti Horizontal është një mundësi unike që jo vetëm i bashkon BE-në dhe Këshillin e Evropës, por gjithashtu shfrytëzon kapacitetin teknik, standardet dhe ekspertizën për të mbështetur rrugën e Kosovës* drejt BE-së në një mënyrë shumë të përshtatshme, plotësuese, efektive dhe efikase,” u shpreh Perr.
Pjesëmarrësit u angazhuan në diskutime frytdhënëse mbi progresin e arritur dhe objektivat e ardhshme për forcimin e drejtësisë, luftën kundër diskriminimit dhe avancimin e lirisë së shprehjes. Rezultatet konkrete përfshijnë dialog dhe besim të forcuar ndërmjet organeve ligj-zbatuese dhe shoqërisë civile, duke përmirësuar reagimet e përbashkëta ndaj urrejtjes, diskriminimit dhe racizmit, në përputhje me standardet evropiane. Brenda sistemit të drejtësisë, mbështetja ekspertëve për optimizimin e menaxhimit të lëndëve ka ndihmuar në përshpejtimin e procedurave dhe zvogëlimin e vonesave administrative. Ndërkohë, standardet evropiane për lirinë e shprehjes janë integruar në trajnimin profesional të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Takimi konkludoi se kjo lloj asistence orientuar drejt rezultateve mbetet thelbësore për përparimin e objektivave të programit, nxitjen e përgjegjësisë dhe adresimin e nevojave në zhvillim të përfituesve.
*****
Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë është një nismë e përbashkët e Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës. Aktualisht në fazën e tretë (2023–2026), programi mbështet përfituesit në zbatimin e reformave në fushat e të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe demokracisë, duke u përafruar me standardet evropiane dhe prioritetet e zgjerimit të BE-së.
Per me shume informacion ju lutem kontaktoni:
Besnik Baka, tel. +355692178430
Dusan Vojnović, tel. +33 3 90 21 56 99
- - - - - - - - - - - - - - - - -
*Ky përkufizim është pa paragjykim ndaj qëndrimeve për statusin, dhe është në përputhje me Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 1244/1999 dhe Opinionin e GJND-së mbi shpalljen e pavarësisë së Kosovës.


