Back Barazi, Mosdiskriminim dhe Diversitet në Trajnimin Policor

Intervistë me Prof. Dr. Ilirjan Mandron - Rektor i Akademisë së Sigurisë në Tiranë
Tiranë / Shqipëri 21 Prill 2026
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page
  • Imprimer en PDF
Barazi, Mosdiskriminim dhe Diversitet në Trajnimin Policor

A mund të na prezantoni shkurtimisht Akademinë e Sigurisë, duke përfshirë mandatin e saj, strukturën dhe numrin e kadetëve dhe oficerëve që trajnohen çdo vit? Si Rektor, cilat janë reformat dhe prioritetet kryesore në të cilat po përqendroheni aktualisht?

Akademia e Sigurisë është institucioni i vetëm i arsimit të lartë publik në fushën e sigurisë në Shqipëri. Misioni kryesor i Akademisë së Sigurisë është zhvillimi dhe transmetimi i dijes nëpërmjet arsimimit dhe kërkimit shkencor, në fushën e rendit dhe sigurisë publike, për përmirësimin e vazhdueshëm të kapaciteteve të Policisë së Shtetit, strukturave të tjera të zbatimit të ligjit, si dhe për personat fizikë e juridikë.  

Akademia është nën varësinë e Policisë së Shtetit. Aktualisht, numëron 906 studentë dhe kursantë, ndërsa stafi i saj përbëhet nga 204 pedagogë dhe specialistë të fushave të ndryshme. Interesi për të studiuar në Akademinë e Sigurisë është në rritje të vazhdueshme. Gjatë vitit të fundit akademik kanë aplikuar 1614 studentë dhe, pas përfundimit të testeve përkatëse, në vitin e parë janë regjistruar 150 studentë. Të dhënat tregojnë se Akademia e Sigurisë ka përqindjen më të lartë të plotësimit të kuotave të regjistrimit në vend, me 99.33 %, çka dëshmon për reputacionin e programit.

 Strukturat arsimore në Akademinë e Sigurisë përbëhen nga: Fakulteti i Sigurisë dhe Hetimit dhe Kolegji Profesional i Formimit Policor.

Në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar, Akademia mbështetet dhe ka një bashkëpunim të ngushtë me institucione si Akademia Policore në Romë, Qendra e Trajnimit Federal në SHBA (FLETC-I), akademi të ndryshme policore, duke përfshirë atë të Ankarasë, Akademinë e nivelit të lartë në Gjermani, Shkollën e Komisarëve në Francë, Akademinë e Mbrojtësve të Ligjit (ILEA) në Hungari, etj.


 

Pse është e rëndësishme që oficerët e policisë të respektojnë parimet e barazisë dhe mosdiskriminimit në punën e tyre të përditshme? Nga përvoja juaj, si ndikojnë këto parime në ndërtimin e besimit ndërmjet institucioneve të zbatimit të ligjit dhe komuniteteve të ndryshme që ato u shërbejnë?

Është e rëndësishme që punonjësit e policisë të dinë si të trajtojnë rastet me profesionalizëm. Respektimi i parimeve të barazisë dhe mosdiskriminimit nuk është thjesht një detyrim ligjor — ai është themeli mbi të cilin ndërtohet legjitimiteti i tërë sistemit të zbatimit të ligjit. Kur qytetarët besojnë se policia i trajton të gjithë njësoj, pavarësisht përkatësisë etnike, gjinore, orientimit seksual apo statusit socio-ekonomik, ata bëhen partnerë aktivë dhe të besueshëm në ruajtjen e sigurisë publike. Kur ky besim mungon, edhe detyrat më bazike policore — marrja e dëshmive, identifikimi i autorëve, parandalimi i krimit — bëhen shumë më të vështira. Temat e trajtuara dhe kurrikulat në Akademinë e Sigurisë synojnë të edukojnë studentët dhe kursantët që të ofrojnë siguri të barabartë për të gjithë anëtarët e komunitetit.

 

Si i trajnon Akademia oficerët e ardhshëm të policisë për të identifikuar dhe për t'u përballur me gjuhën e urrejtjes dhe krimet e urrejtjes, veçanërisht kur ato prekin grupe vulnerabël? Si kanë kontribuar trajnimet e mbështetura nga BE-ja dhe Këshilli i Evropës, në forcimin e punës së Akademisë në këtë drejtim?

Formimi dhe trajnimi i kursantëve dhe studentëve për të identifikuar dhe adresuar gjuhën dhe krimet e urrejtjes mbështetet në tre elemente: përditësimin e kurrikulave, trajtimin e rasteve dhe mënyrat e zgjidhjes së tyre.

Akademia ofron gjithashtu trajnime vjetore të detyrueshme për Policinë e Shtetit dhe struktura të tjera të zbatimit të ligjit. Oficerët ndjekin module mbi të drejtat e njeriut, policimin në komunitet, parandalimin e krimit dhe aftësitë e komunikimit. Për shembull, gjatë Javës Kundër Diskriminimit të organizuar në shkurt të vitit 2026, dhe në bashkëpunim me Zyrën e Këshillit të Evropës në Tiranë, u trajnuan 426 studentë të Akademisë për të identifikuar treguesit e paragjykimit dhe për të aplikuar një qasje me në qendër viktimën. Megjithatë, kjo nuk është as e mjaftueshme dhe as masa e vetme, pasi nismat e trajnimit shpesh mbeten të kufizuara në shtrirje. Kjo thekson nevojën për të institucionalizuar dhe për të siguruar qëndrueshmërinë e trajnimeve kundër diskriminimit si një përbërës thelbësor i kurrikulës sonë, si dhe për të përfshirë këtë tematikë në të gjithë procesin mësimor, duke e lidhur atë me shkeljet e të drejtave të njeriut, rreziqet me të cilat përballen viktimat dhe rolin e punonjësve të rendit në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore.

Një element i rëndësishëm i këtij procesi është integrimi i tematikave si dhuna me bazë gjinore, hetimi i krimeve të urrejtjes, të drejtat e komunitetit LGBTIQ, policimi në komunitet dhe trajnimi mbi diversitetin, si në arsimin fillestar ashtu edhe në atë të vazhdueshëm

Mund të theksoj se kontributi i BE-së dhe Këshillit të Evropës, nëpërmjet programit të Instrumentit Horizontal, ka qenë motori kryesor. Këtu mund të përmendim disa arritje:

  • Manuali i Këshillit të Evropës “Policimi i Krimeve të Urrejtjes kundër Personave LGBTI: Trajnim për një Përgjigje Profesionale Policore” shërben si një bazë e fortë didaktike për stafin akademik, literaturë thelbësore për kursantët dhe studentët, si edhe një burim i rëndësishëm për zhvillimin e vazhdueshëm profesional të personelit në shërbim.
  • Shkëmbimet me policinë e Prishtinës dhe Kievit në 2024, të Kishinaut dhe Shkupit në 2025 na ballafaquan me përvoja rajonale dhe më gjerë.
  • Në kuadër të Javës kundër Diskriminimit, kemi bashkëpunuar si në 2023, ashtu edhe në 2025, me trajnime të dedikuara për studentët e Akademinë e Sigurisë.

 

Duke parë drejt së ardhmes, si kanë ndikuar aktivitetet e Këshillit të Evropës në mënyrën se si Akademia integron parimet e mosdiskriminimit dhe diversitetit në trajnimin policor? Çfarë hapash do të ndërmarrë Akademia për të siguruar që këto vlera të mbeten një pjesë thelbësore e edukimit policor edhe në të ardhmen?

Aktivitetet e Këshillit të Evropës kanë ndikuar thelbësisht në transformimin e mënyrës se si stafi akademik trajton mosdiskriminimin dhe diversitetin në procesin mësimor. Para bashkëpunimit, trajnimi mbi të drejtat e njeriut ishte ad hoc, materialet në gjuhën shqipe mungonin, nuk ekzistonin module formale për krimet e urrejtjes dhe Akademia ishte e kufizuar nga praktikat e mira evropiane.  

Sot, kurrikula formalizon krimet e urrejtjes si modul apo temë të detyrueshme në programet mësimore, dhe trajnimi i detyrueshëm për strukturat policore mbulon 90% të personelit në terren.

Në këtë kuadër, kemi identifikuar gratë në policim si prioritet strategjik rekrutimi, dhe është themeluar Shoqata e Grave në Policinë e Shtetit. Këto nisma vijnë në zbatim të angazhimit të drejtuesve të Ministrisë së Brendshme që “barazia gjinore nuk është vetëm parim moral, por një domosdoshmëri për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve policore”.

Suksesi dhe besueshmëria e Akademisë në luftën ndaj diskriminimit do të përcaktohet kur reformat e ndërmarra të bëhen praktikë e vërtetë e qëndrueshme vendëse, e ngulitur në identitetin institucional. Mosdiskriminimi dhe diversiteti nuk janë nisma me afat të përcaktuar, janë vlera themelore që duhet të jenë të pranishme në çdo orë mësimi, në çdo ndërveprim me qytetarët dhe në çdo vendim institucional.