Back Këshilli i Evropës mbështet profesionistët e ardhshëm të së drejtës për të mbështetur standardet e të drejtave të njeriut

Tiranë 8 korrik 2025
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page
  • Imprimer en PDF
Këshilli i Evropës mbështet profesionistët e ardhshëm të së drejtës për të mbështetur standardet e të drejtave të njeriut

Për të promovuar profesionistët në zhvillim të së drejtës dhe bashkëpunimin rajonal, Këshilli i Evropës mori pjesë në Ceremoninë e shpërndarjes së çmimeve për Gjyqin Simulues Rajonal, mbajtur në Tiranë, në mbështetje të studentëve të drejtësisë nga e gjithë Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor, ndërkohë që ata mprehën aftësitë e tyre të avokimit dhe thelluan kuptimin e tyre për standardet e të drejtave të njeriut.

Në hapje të aktivitetit, Giulia Re, Kreu i Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, përgëzoi pjesëmarrësit nëpërmjet një video-mesazhi, duke theksuar rolin e të mësuarit nga praktika, në ndërtimin e një komuniteti të fortë ligjor dhe të drejtuar nga drejtësia. "Ky konkurs rajonal i Gjyqit Simulues bashkon më të mirën e asaj që shpresojmë të shohim në gjeneratën e ardhshme të profesionistëve ligjorë: talentin, energjinë dhe një ndjenjë të fortë drejtësie", vuri në dukje znj. Re.

I organizuar nga Fondacioni Ligjor Halimi, eventi mblodhi studentë nga më shumë se 14 universitete publike dhe private, duke shfaqur një angazhim në rritje për trajnimin praktik ligjor në të gjithë rajonin.

Ekipi fitues i këtij viti - Bianka Kananaj, Altea Hoxhaj dhe Kiara Karabinaj - nga Universiteti “Ismail Qemali” në Vlorë, siguruan vendin e parë, ndërsa Fausta Gjika nga Universiteti “Luarasi” në Tiranë fitoi vendin e dytë.

Ceremonia shënoi një traditë bashkëpunimi midis Këshillit të Evropës dhe Fondacionit Halimi. Në një shenjë mbështetjeje konkrete, Këshilli i Evropës, nëpërmjet projektit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Mbrojtja e të drejtës së pronës dhe lehtësimi i ekzekutimit të vendimeve të GJEDNJ-së në Shqipëri” (D-REX III), mirëpriti katër praktikantë nga ekipet fituese, përfshirë fituesen e Çmimit të Folësit më të Mirë, në ambientet e Zyrës në Tiranë. Këta profesionistë të rinj do të kalojnë një muaj duke kontribuar në fusha të tilla si e drejta e pronës dhe ekzekutimi i vendimeve të Gjykatës Evropiane, liria e shprehjes, përpjekjet kundër korrupsionit, integriteti institucional gjyqësor, edukimi i qytetarisë demokratike, etj.

Praktika ofron një mundësi për studentët e drejtësisë që të përkthejnë aftësitë e tyre të avokimit dhe analitikës në përvojë praktike duke mbështetur përafrimin e Shqipërisë me standardet evropiane të të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës.

Projekti “Mbrojtja e të drejtës së pronës dhe lehtësimi i ekzekutimit të vendimeve të GJEDNJ-së në Shqipëri ” (D-REX III) është pjesë e programit të përbashkët rajonal të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës –Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë.