Përfaqësues të lartë nga Zyra e Këshillit të Evropës në Tiranë, institucionet publike dhe autoritetet lokale shqiptare, u takuan në Korçë për të diskutuar progresin në ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane në lidhje me segregimin e nxënësve romë dhe egjiptianë në shkollën "Naim Frashëri" (Vendimi “X dhe të tjerë kundër Shqipërisë”), i cili është në pritje të ekzekutimit të plotë.
Giulia Re – Kreu i Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, së bashku me Ina Majko - Zëvendës-ministre e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, dhe Orjana Osmani - Zëvendës-ministre e Arsimit, u takuan me Sotiraq Filo - Kryetarin e Bashkisë së Korçës, dhe përfaqësues nga Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar (DRAP).
Giulia Re udhëhoqi diskutimet mbi hapat e ardhshëm që duhen ndërmarrë për zbatimin e vendimit të Gjykatës Evropiane, në përputhje me vlerësimin e progresit nga Komiteti i Ministrave që pritet të kryhet në fund të vitit 2026. Pjesëmarrësit ranë dakord të forcojnë monitorimin duke ndjekur rregullisht trendet e frekuentimit së nxënësve, rastet e braktisjes së shkollës, modelet e regjistrimit dhe përbërjen e klasave mësimore për të identifikuar dhe trajtuar çdo rrezik të segregimit në fazat e hershme.
Paralelisht, Giulia Re mori pjesë në një aktivitet të përbashkët prind-mësues të titulluar "Gjithëpërfshirja dhe Bashkëpunimi Ndërkulturor", i organizuar në kuadër të Projektit ‘BRIDGE’ - Krijimi i Respektit, Përfshirjes dhe Dinjitetit për Grupet në Arsim. Ky grant 6-mujor, i zbatuar nga Instituti i Korçës për Zhvillimin e Fëmijëve (KIDC), mbështetet nga projekti i përbashkët i BE-së dhe Këshillit të Evropës “Fuqizimi për Mbrojtjen nga Diskriminimi në Shqipëri.” BRIDGE promovon shkollat gjithëpërfshirëse, angazhimin e prindërve dhe trajnimin e mësuesve për të trajtuar situatën në tre shkolla në Korçë, përfshirë Shkollën “Naim Frashëri.” Përmes aktiviteteve artistike të bazuara në komunitet, kjo iniciativë forcon bashkëpunimin midis nxënësve romë, egjiptianë dhe jo-romë.
Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës do të vazhdojnë të punojnë me institucionet shqiptare dhe partnerët lokalë për të siguruar zbatimin sa më efektiv të vendimeve të Gjykatës Evropiane, me përfshirjen aktive të minoriteteve rome dhe egjiptiane, si dhe matjen e progresit brenda afateve të përcaktuara.
Ky aktivitet organizohet në kuadër të Projekteve "Fuqizimi i Mbrojtjes nga Diskriminimi në Shqipëri" dhe "Mbrojtja e të Drejtës së Pronës dhe Lehtësimi i Ekzekutimit të Vendimeve të GJEDNJ-së në Shqipëri" (D-REX III), pjesë e programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës, "Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë".


