Përfaqësues të Gjykatës Kushtëtuese dhe Gjykatës së Lartë të Shqipërisë morën pjesë në sesionin e 10-të të Rrjetit të Gjykatave Superiore, mbajtur në Strasburg më 5-6 qershor 2025. Ama Kraja nga Gjykata Kushtetuese dhe Emirjam Ahmetaga nga Gjykata e Lartë ndoqën sesionet duke përfaqësuar gjyqësorin shqiptar, së bashku me kolegë nga të gjitha shtetet anëtare duke diskutuar dhe shkëmbyer mendime mbi rolin e gjykatave superiore brenda kuadrit evropian të të drejtave të njeriut.
Rrjeti i Gjykatave Superiore, i krijuar nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, është një platformë e veçantë dialogu që mbështet gjykatat vendase në të gjithë 46 vendet anëtare të Këshillit të Evropës për zbatimin e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Sesioni i këtij viti, që shënonte 10-vjetorin e Rrjetit, përmbante edhe një sesion hyrës që mund të ndiqej nga interneti, si dhe prezantimin e librit të përvjetorit që flet mbi themelimin, risitë dhe ndikimin e Rrjetit.
“Rrjeti i Gjykatave Superiore është një platformë thelbësore për të përforcuar kuptimin e përbashkët dhe shkëmbimin e praktikave gjyqësore në të gjithë Evropën. Pjesëmarrja jonë kontribuon në përshtatjen me interpretimin në zhvillim të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke forcuar njëkohësisht bashkëpunimin gjyqësor në nivel evropian”, u shpreh Ama Kraja, përfaqësuese e Gjykatës Kushtëtuese të Shqipërisë.
Ndërsa Emirjam Ahmetaga, përfaqësuese e Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, tha se: “Pjesëmarrja në këtë Rrjet përforcon përkushtimin e Gjykatës së Lartë të Shqipërisë për bashkëpunim gjyqësor dhe zbatimin e vazhdueshëm të parimeve të GJEDNJ-së. Ky forum shërben si një platformë e vlefshme për të mësuarit e ndërsjellë, dialogun mes gjyqësorit dhe shkëmbimet ballë për ballë. Gjykata e Lartë e Shqipërisë kontribuon prej vitesh në mënyrë aktive në punën e Rrjetit të Gjykatave Superiore me mbështetjen e zhvillimit të standardeve, si dhe forcimit të mëtejshëm të lidhjeve të gjyqësorit në të gjithë Evropën.
Rrjeti i Gjykatave Superiore luan një rol kryesor për dialogun e gjyqësorit, me nxitjen e subsidiaritetit dhe përgjegjësisë së përbashkët midis gjykatave superiore të Shqipërisë dhe Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Ky bashkëpunim me Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut u mbështet nga Projekti: “Mbrojtja e të drejtës së pronës dhe lehtësimi i ekzekutimit të vendimeve të GJEDNJ-së në Shqipëri (D-REX III)” me qëllimin e përforcimit të kapaciteteve gjyqësore dhe duke promovuar zbatimin sa më të mirë të standarteve të të drejtave të njeriut. Projekti bën pjesë në programin e përbashkët mes Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës Instrumenti horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë.