Nën moton “Barazi, Dinjitet dhe Përfshirje për të Gjithë”, Java kundër Diskriminimit 2026 do të zhvillohet në Shqipëri nga data 9 deri më 16 shkurt 2026, me një sërë aktivitetesh që rrisin ndërgjegjësimin dhe forcojnë kapacitetet për mbrojtjen nga diskriminimi.
E organizuar çdo vit në muajin shkurt, Java Kundër Diskriminimit është një nismë e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, e zbatuar me mbështetjen e projektit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Fuqizimi i mbrojtjes nga diskriminimi në Shqipëri”. Ajo synon të promovojë barazinë dhe përfshirjen, si dhe të forcojë reagimin institucional ndaj gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit, në përputhje me standardet evropiane dhe rekomandimet e Këshillit të Evropës.
- Forcimi i kapaciteteve për adresimin e krimeve të urrejtjes në Akademinë e Sigurisë
Ngritja e kapaciteteve përbën një komponent kyç të Javës Kundër Diskriminimit. Një seri trajnimesh mbi krimet e urrejtjes do të zhvillohen me mbi 400 studentë nga të tre vitet akademike të Akademisë së Sigurisë në Tiranë. Trajnimet do të fokusohen në identifikimin, hetimin dhe parandalimin e krimeve të urrejtjes, mbështetjen e viktimave dhe garantimin e trajtimit të barabartë dhe të një policiimi pa diskriminim.
9 shkurt 2026 – Trajnim me studentët e vitit të tretë
10 shkurt 2026 – Trajnim me studentët e vitit të dytë
16 shkurt 2026 – Trajnim me studentët e vitit të parë
- Promovimi i barazisë në punësim dhe në aksesin në shërbime publike në Shkodër
Më 11 shkurt 2026, në Shkollën Profesionale “Hamdi Bushati” në Shkodër do të organizohet një aktivitet publik, i fokusuar në barazinë në punësim dhe në aksesin në shërbimet publike. Aktiviteti do të rrisë ndërgjegjësimin e nxënësve dhe mësuesve mbi mundësitë e barabarta, mosdiskriminimin në vendin e punës dhe rëndësinë e mjediseve profesionale gjithëpërfshirëse.
- Institucione të forta për një shoqëri pa diskriminim në Fier
Më 12 shkurt 2026, në Qendrën Rinore “Epoka e Re” në Fier do të zhvillohet një aktivitet publik mbi rolin e institucioneve publike, organeve të pavarura dhe shoqërisë civile në parandalimin e diskriminimit dhe garantimin e mekanizmave efektivë të mbrojtjes.
- Rritja e ndërgjegjësimit mbi mekanizmat e mbrojtjes nga diskriminimi në Pogradec
Më 13 shkurt 2026, aktivitetet do të vazhdojnë në Pogradec, në Qendrën Multifunksionale të Bashkisë, pranë Teatrit të Kukullave, duke informuar qytetarët mbi mandatin dhe veprimtarinë e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, si dhe duke diskutuar mekanizmat e mbrojtjes dhe procedurat e ankesave sipas Ligjit “Për Mbrojtjen nga Diskriminimi”.
Java Kundër Diskriminimit 2026 bashkon institucione publike, organizata të shoqërisë civile, profesionistë dhe komunitete lokale, duke riafirmuar angazhimin e përbashkët për barazi, dinjitet dhe përfshirje për të gjithë. Java organizohet në bashkëpunim me Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe mbështetet nga programi i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Instrumenti Horizontal III”.


