Mbi 40 gjyqtarë dhe këshilltarë të lartë ligjorë nga Gjykata e Lartë dhe gjykatat e apelit të Shqipërisë morën pjesë në Forumin e Harmonizimit Gjyqësor për të forcuar praktikat gjyqësore uniforme dhe koherente, në përputhje me standardet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (Gjykata).
Gjatë forumit dy-ditor, pjesëmarrësit shkëmbyen përvoja, duke reflektuar se si praktikat e tyre mund të harmonizohen më mirë me standardet evropiane. Ata gjithashtu identifikuan mospërputhje në vendimet e gjykatave dhe bashkëpunuan për zgjidhje praktike për të rritur qëndrueshmërinë.
Duke përshëndetur iniciativën, Sokol Sadushi, Kryetar i Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, theksoi se harmonizimi gjyqësor është jetik për sigurinë ligjore dhe besueshmërinë e drejtësisë.
Giulia Re, Kreu i Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, theksoi ndikimin e drejtpërdrejtë të punës së gjykatave tek qytetarët, duke vlerësuar angazhimin profesional dhe personal të gjyqtarëve për përmirësimin e drejtësisë në Shqipëri.
Cinzia Tarletti, Drejtore e Seksionit për Sundimin e Ligjit dhe Qeverisjen e Mirë në Bashkimin Evropian në Shqipëri, në fjalën e saj nënvizoi mbështetjen e fortë të BE-së për harmonizimin gjyqësor, duke vënë në dukje rolin e tij në forcimin e besimit në sistemin e drejtësisë, por edhe në avancimin e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE.
Gjyqtari shqiptar i Gjykatës Evropiane, Darian Pavli, hapi forumin me njohuri të vlefshme mbi vendimin e fundit mbi vendimin e fundit të ‘ARB shpk dhe të Tjerë kundër Shqipërisë’ (2025) [1]. Ai diskutoi standardet e gjykimit të drejtë, procedurat në kohë dhe mjetet efektive juridike, duke theksuar ndikimin e tyre në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve. Gjyqtari Pavli ofroi një kornizë për përmirësimin e arsyetimit gjyqësor vendas në Shqipëri dhe i nxiti gjykatat të shohin parimet e Gjykatës së Strasburgut si mjete praktike për parashikueshmëri dhe aksesueshmëri.
Në përfundim, pjesëmarrësit ranë dakord që një dialog i tillë duhet të jetë i vazhdueshëm, duke bërë thirrje për koordinim të rregullt dhe të strukturuar midis Gjykatës së Lartë dhe gjykatave më të ulëta, për të siguruar që gjyqësori të flasë me një zë të qartë dhe të besueshëm. Gjyqtarët u zotuan t’i bëjnë këto shkëmbime të përhershme dhe të zbatojnë jurisprudencën e Strasburgut në mënyrë më sistematike në arsyetimin e tyre gjyqësor.
Ky aktivitet u organizua në kuadër të projektit Mbrojtja e të drejtës së pronës dhe lehtësimi i ekzekutimit të vendimeve të GJEDNJ-së në Shqipëri (D-REX III), pjesë e programit të përbashkët rajonal të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës – Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, në bashkëpunim me Gjykatën e Lartë të Shqipërisë.