Teksa Shqipëria përparon me përafrimin e kuadrit ligjor me standardet evropiane, përfshirë Aktin për Shërbimet Dixhitale (DSA), përfaqësues të Këshillit të Evropës, Bashkimit Evropian dhe Autoritetit të Mediave Audiovizive të Shqipërisë (AMA) u mblodhën në Tiranë për të diskutuar dispozita thelbësore mbi transparencën, mbrojtjen e përdoruesve dhe mbikëqyrjen rregullatore.
Aktiviteti u organizua në vijim të tryezës së rrumbullakët të organizuar më herët këtë vit. Në aktivitet u prezantua një analizë krahasuese e Këshillit të Evropës e cila identifikon boshllëqet rregullatore dhe jep rekomandime për ndërhyrje të synuara me qëllim pajtueshmërinë e plotë me acquis evropiane. Temat kryesore përfshinë përgjegjësinë e platformave, kërkesat për raportim dhe bashkëpunimin me autoritetet publike.
Gjatë diskutimeve pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e transpozimit efektiv të dispozitave të DSA-së në kuadrin ligjor shqiptar në kontekstin e reformave të vazhdueshme për sektorin e medias, si dhe përpjekjeve më të gjera të Shqipërisë për të harmonizuar legjislacionin me standardet evropiane. Në përfundim të takimit, pjesëmarrësit dakordësuan një udhërrëfyes mbi hapat e radhës për të përparuar pajtueshmërinë rregullatore me standardet evropiane. Këto përfshijnë: vendosjen e procedurave të thjeshta për raportimin dhe heqjen e përmbajtjes së paligjshme (notice-and-action), mandatimin e sistemeve të brendshme të trajtimit të ankesave për platformat online dhe forcimin e mbrojtjes për të miturit.
Akti për Shërbimet Dixhitale (DSA) vendos rregulla për shërbimet online që përdoren nga qytetarët evropianë në jetën e tyre të përditshme, përfshirë tregjet online, rrjetet sociale, dyqanet e aplikacioneve, dhe platformat për udhëtime apo akomodim online. DSA ndihmon për të bërë mjedisin online të sigurt dhe të besueshëm.
Ky aktivitet u organizua nga Divizioni për Bashkëpunim për Lirinë e Shprehjes, në kuadër të projektit të përbashkët të Bashkimit Europian dhe Këshillit të Europës Mbrojtja e Lirisë së Shprehjes dhe e Medias në Shqipëri (PROFREX-A), si pjesë e programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë.


