Back 60 anëtarë të strukturave shqiptare anti-korrupsion nisin trajnimin online “Hyrje në parandalimin e Korrupsionit"

TIRANE, SHQIPERI 7 Qershor 2024
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page
  • Imprimer en PDF
60 anëtarë të strukturave shqiptare anti-korrupsion nisin trajnimin online “Hyrje në parandalimin e Korrupsionit

Projekti i Bashkimit Evropian dhe i Këshillit të Evropës ‘Veprimi kundër Krimit Ekonomik në Shqipëri’, së bashku me Ministrin e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin dhe Shkollën e Administratës Publike, prezantuan versionin shqip të kursit HELP të Këshillit të Evropës ‘Hyrje në parandalimin e korrupsionit’.

 

Kjo paketë trajnimi gjithëpërfshirëse është një mjet mësimi autodidakt që synon rritjen e ndërgjegjësimit dhe aftësive të zyrtarëve publikë përgjegjës për luftën kundër korrupsionit, duke u fokusuar në standardet etike, konfliktet e interesit, kufizimet pas punësimit, mbrojtjen e sinjalizuesve, deklarimin e pasurisë dhe mekanizma të tjerë të rëndësishëm.

 

Nëpërmjet shembujve dhe skenarëve praktikë, ky kurs interaktiv online vë në qendër të vëmendjes dilemat dhe sfidat etike në zbatimin e masave kundër korrupsionit, duke përmirësuar performancën e këtyre strukturave për hetimin administrativ efektiv të praktikave abuzive, që mund të çojnë në korrupsion.

Në fjalën e saj hyrëse, Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, theksoi rëndësinë e kursit si një instrument praktik dhe i dobishëm për administratën, për t’u njohur më në detaje me format e korrupsionit dhe mënyrat e parandalimit të tij.

 

Olsi Dekovi, Zëvendës Kreu i Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, iu drejtua pjesëmarrësve: ‘Kursi që po nisni sot përbën një tjetër gur themeli për bashkëpunimin tonë, që synon të përmirësojë kapacitetet tuaja mbi standardet e integritetit dhe të adresojë dilemat etike e sfidat në zbatimin e masave antikorrupsion’.

Ekspertët e Këshillit të Evropës prezantuan funksionet kryesore të platformës dhe ndanë me pjesëmarrësit rregullat dhe afatet kohore për ndjekjen e kursit të përshtatur me kontekstin shqiptar.

Ky aktivitet u organizua nga Veprimi kundër Krimit Ekonomik në Shqipëri, në kuadër programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës, Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë III.