Back Sot u hap këndi i ri për fëmijë dhe biblioteka në burgun e Prilepit

Sot u hap këndi i ri për fëmijë dhe biblioteka në burgun e Prilepit

Personat e dënuar në Institucionin ndëshkues-përmirësues (INP) Prilep tani mund ta shfrytëzojnë hapësirën e re për vizitorë, që i dedikohet familjeve dhe fëmijëve të tyre që e vizitojnë këtë institucion, si dhe bibliotekën e re. Rreth 40 fëmijë do të përfitojnë nga kjo risi e mundësuar nga projekti i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës.

Gjatë hapjes së sotme të këndit të fëmijëve dhe bibliotekës në burgun e Prilepit, drejtori i Drejtorisë për Ekzekutimin e Sanksioneve, Marjan Spasovski, tha se kjo është në vazhdën e aktiviteteve të Drejtorisë për përmirësimin e kushteve në institucionet penitenciare.

Freek Janmaat, udhëheqës i Operacioneve I në Delegacionin e Bashkimit Evropian në Republikën e Maqedonisë së Veriut, e theksoi rëndësinë që Bashkimi Evropian ia jep përmirësimit të kushteve të burgimit, përpjekjeve për avancimin e mbrojtjes të të drejtave themelore njerëzore të personave të burgosur, si dhe kontributit drejt integrimit të plotë të tyre në shoqëri. “Profesionalizmi dhe respektimi i të drejtave të personave të burgosur dhe të paraburgosur janë tejet të rëndësishme në menaxhimin e burgjeve. Avancimi i udhëheqjes dhe mbikëqyrjes së burgjeve, profesionalizimi i personelit, sigurimi i mbrojtjes shëndetësore, si dhe luftimi i çfarëdo lloji të maltretimit duhet të jenë prioritet. Edukimi, risocializimi dhe rehabilitimi janë të rëndësishme për parandalimin e recidivizmit dhe mbrojtjen e sigurisë në shoqëri,” theksoi ai.

Shefja e Operacioneve në Zyrën e Programit të Këshillit të Evropës në Shkup, Lejla Dervishagiq tha se synimi i këndit të fëmijëve dhe bibliotekës është t’i ndihmohet personave të dënuar në mbajtjen e lidhjeve të tyre familjare, si dhe të lehtësohet procesi i riintegrimit pas vuajtjes së dënimit. Ajo e theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me autoritetet e burgjeve në Maqedoninë e Veriut, drejt krijimit të një shoqërie më të sigurt dhe humane, ku respektohen dhe mbrohen të drejtat e personave të paraburgosur dhe dënuar, sipas vlerave dhe standardeve evropiane.

Pajisja e këndit të vizitorëve dhe bibliotekës u mundësua përmes grantit në vlerë prej 4,000 EUR, të siguruar në kuadër të programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë 2019-2022”, në bashkëpunim të ngushtë me INP Prilep që kontribuoi me përgatitjen e hapësirës dhe ngjyrosjen kreative të mureve, punë kjo e kryer nga personat e dënuar dhe pjesëtarët e Policisë së Burgjeve.

Rreth 40 fëmijë dhe familjet e tyre do të përfitojnë nga këndi i fëmijëve në INP Prilep, që është hapësirë e dytë e tillë në vend, pas këndit të parë të hapur para tre viteve në burgun e Shtipit me mbështetje nga BE dhe Këshilli i Evropës. Këto nisma e pasqyrojnë përkushtimin e autoriteteve për zbatimin e Rekomandimit të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës (CM/REC-2018-5), lidhur me trajtimin e nevojave të fëmijëve të prindërve të burgosur.

 

NORTH MACEDONIA: New children’s corner and library opened in the Prison of Prilep

 

Vlerësohet se mbi dy milionë fëmijë në Evropë kanë prind në burgje – shumica e tyre ballafaqohen me vështirësi emocionale dhe materiale, si dhe vuajnë nga stresi psikologjik dhe stigmatizimi. Megjithatë, ata dhe traumat e tyre mbeten kryesisht jashtë fokusit publik. Në këtë kontekst, ruajtja e raporteve familjare dhe prind-fëmijë kanë rëndësi kyçe për riintegrimin e suksesshëm shoqëror të personave që e kanë vuajtur dënimin, si dhe mospërfshirjes në vepra penale.

Për ta avancuar mbrojtjen e të drejtave të njeriut të personave të burgosur dhe familjeve të tyre, Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës punojnë ngushtë me autoritetet e Maqedonisë së Veriut drejt përmirësimit të trajtimit dhe rihabilitimit të personave të dënuar, si dhe përforcimit të mbrojtjes shëndetësore në burgje.

Programi i përbashkët “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë 2019-2022”, dhe projekti “Forcimi e kapaciteteve të sistemit penitenciar dhe mekanizmit të mbikëqyrjes së jashtme në Maqedoninë e Veriut” që zbatohet në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Drejtorinë e saj për Ekzekutim të Sanksioneve, siguron mbështetje për aktorët kyçe në tejkalimin e mangësive lidhur me mbrojtjen e të drejtave të njeriut në burgje, përmes përforcimit të kapaciteteve të sistemit penitenciar, si dhe Mekanizmit të mbikëqyrjes së jashtme mbi punën e Policisë së Burgjeve.

Prilep 29 nëntor 2021
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page

How to ensure Free Legal Aid?
(Turkish)

How to ensure Free Legal Aid?
(Turkish)

How to ensure Free Legal Aid?
(Albanian)

How to ensure Free Legal Aid?
(Macedonian)

 Free Legal Aid Poster 

MKD ALB ROM TUR


 Free Legal Aid Leaflet 

MKD ALB ROM TUR