Një përmbledhje e re e jurisprudencës së Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, që mbulon periudhën nga viti 2021 deri në vitin 2024, është botuar së fundmi me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe të Këshillit të Evropës. Ky botim i ri është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të konsoliduar jurisprudencën kombëtare dhe për të kontribuar më tej në harmonizimin e praktikës gjyqësore në Shqipëri.
Duke bërë bashkë të gjitha vendimet unifikuese dhe ato ndryshuese të nxjerra nga Gjykata e Lartë e Shqipërisë gjatë kësaj periudhe, botimi shërben si një burim kyç për gjyqtarë, prokurorë, avokatë dhe profesionistë ligjorë shqiptarë. Botimi synon të mbështesë interpretimin dhe zbatimin sa më të qëndrueshëm të legjislacionit në të gjithë sistemin gjyqësor, duke rritur kështu sigurinë ligjore, efikasitetin gjyqësor dhe zbatimin e shtetit të së drejtës.
Përmbledhja përfshin jurisprudencë nga një sërë fushash ligjore, duke përfshirë të drejtën civile - me një fokus të veçantë në procesin e rregullt ligjor dhe të drejtën e pronës – si dhe të drejtën penale dhe administrative. Përfshirja e vendimeve të tilla unifikuese kontribuon shumë në një përafrim të nevojshëm të praktikës ligjore vendase me standardet e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe jurisprudencën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Duke ofruar jurisprudencë të arritshme dhe me ndikim të lartë, botimi ndihmon në forcimin e përdorimit të precedentit ligjor dhe nxit dialogun profesional midis institucioneve që punojnë në fushën e drejtësisë.
Ky botim u mundësua në bashkëpunim me Gjykatën e Lartë të Shqipërisë, si pjesë e projektit Mbrojtja e të drejtës së pronës dhe lehtësimi i ekzekutimit të vendimeve të GJEDNJ-së në Shqipëri (D-REX III)”, i cili bashkëfinancohet nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës, dhe zbatohet nga Këshilli i Evropës si pjesë e programit Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë.
Shkarko botimin KËTU.