Institucioni ndëshkues-përmirësues Idrizovë, si burgu më i madh në Maqedoninë e Veriut, është pajisur me këndin e fëmijëve për vizitorët më të vegjël dhe fëmijët e personave të dënuar. Këndi gjendet në hapësirën për vizita, duke ofruar një mjedis të sigurt dhe të ngrohtë gjatë vizitave familjare.
Përfaqësuesit e institucioneve përgjegjëse, të Delegacionit të Bashkimit Evropian, si dhe të Këshillit të Evropës, ishin pjesë e ceremonisë përuruese në burgun Idrizovë.
Drejtori i Drejtorisë për Ekzekutimin e Sanksioneve, Aleksandar Pandov e theksoi rëndësinë e këtij këndi në procesin e resocializimit, veçanërisht duke qenë se ky është burgu i vetëm ku femrat e vuajnë dënimin. “Përfitimet reale të këtij donacioni janë dukshëm më të mëdha se vlera financiare”, tha Pandov, duke e falënderuar BE-në dhe Këshillin e Evropës për mbështetjen e vazhdueshme.
Në fjalimin e tij, Ben Nupnau, zëvendës-shef i Delegacionit të BE-së në Maqedoninë e Veriut iu referua raportit të fundit të Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut, ku theksohet nevoja e vazhdueshme për përmirësimin e kushteve të burgjeve, përfshirë edhe në Idrizovë. “Përmirësimi i kushteve të burgjeve nuk është vetëm kërkesë e theksuar në raportin e fundit të Komisionit Evropian – kjo është një përgjegjësi e shtetit ndaj çdo personi që hyn në këtë objekt, përfshirë edhe fëmijët. Ky kënd është një hap i vogël, por domethënës drejt një sistemi më human, ku mbrohet dinjiteti njerëzor dhe vizitat familjare bëhen më të lehta dhe sigurta. Ne shpresojmë që kjo do ta nxitë përpjekjen e vazhdueshme për ngritjen e standardeve në të gjitha institucionet penitenciare”, deklaroi Nupnau.
Donçe Boshkovski, udhëheqës i Seksionit II, Njësia për Bashkëpunim në Çështjet Policore dhe Institucionet e Privimit të Lirisë, Këshilli i Evropës e ndau shpresën e tij që ky kënd i fëmijëve do ta përsërisë suksesin e arritur në këndet tjera që tashmë janë hapur në vend. “Kjo nismë e pasqyron përkushtimin e autoriteteve për zbatimin e rekomandimit të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, mbi nevojat e fëmijëve të prindërve të burgosur”, tha Boshkovski.
Këndi i fëmijëve në burgun Idrizovë është i katërti i këtij lloji në vend, pas atyre në burgun në Shtip, Prilep dhe Kumanovë, që të gjitha të hapura me mbështetjen e BE-së dhe Këshillit të Evropës.
Për më tepër se një dhjetëvjeçar, Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës punojnë ngushtë me autoritetet penitenciare të Maqedonisë së Veriut, drejt avancimit të trajtimit dhe rihabilitimit të personave të dënuar në institucionet penitenciare, konform standardeve evropiane dhe praktikave më të mira. Përmirësimi i mbrojtjes shëndetësore në burgje, si dhe mbështetja e Mekanizmit për Kontroll të Jashtëm mbi personat me autorizime policore do të mbeten si prioritete.
*****
Kjo nismë zbatohet në kuadër të programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë”, përmes projektit “Përforcimi i kapaciteteve të sistemit penitenciar në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, në bashkëpunim me Drejtorinë për Ekzekutimin e Sanksioneve, si dhe burgun Idrizovë i cili ka kontribuar me ngjyrosjen artistike të këtij këndi, si dhe përshtatjes së hapësirës.
Fotografitë mund t’i gjeni KËTU.
Për më tepër informata:
Gjakush Kabashi, Udhëheqës i lartë i projektit, Këshilli i Evropës, +38975495495
Besnik Baka, Oficer rajonal për media, Këshilli i Evropës, +355692178430



