“...Që nga koha e studimeve, kam pasur një interes të veçantë për të kontribuar në fushën e luftës kundër korrupsionit. E shoh atë si një sfidë madhore për vendin tonë dhe, mbi të gjitha, si një çështje urgjente, veçanërisht në kontekstin e rrugës së Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Personalisht, synoj të specializohem në fushën e antikorrupsionit, dhe kurse të tilla janë me shumë interes dhe ndihmë për zhvillimin tim profesional...”, kështu e nis rrëfimin e saj Xhulia Mulla, një nga punonjëset në Drejtorinë e Analizës, Kontrollit dhe Hetimit Administrativ (Drejtoria e Përgjithshme e Antikorrupsionit), për rrugëtimin e saj në frontin e parë të luftës kundër korrupsionit. Ajo është një nga 80 profesionistët shqiptarë që morën pjesë vitin e shkuar në Kursin HELP të Këshillit të Evropës mbi “Hyrjen në parandalimin e korrupsionit”.
Ky kurs u zhvillua nga Divizioni i Krimit Ekonomik dhe Bashkëpunimit në Këshillin e Evropës, në bashkëpunim me Programin e Edukimit për të Drejtat e Njeriut për Profesionistët Ligjorë, në vitin 2021 dhe u përshtat më tej në shqip në vitin 2024 me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës. Ai përbëhet nga 13 module, që mbulojnë një gamë të gjerë temash duke përfshirë sjelljen etike, konfliktet e interesit, rregullimin e menaxhimit të dhuratave, qëllimet e sistemeve të deklarimit të pasurisë, rolin e qasjes së lirë në informacion në parandalimin e korrupsionit dhe shumë të tjera.
Në punën e saj të përditshme, përveç hetimeve administrative, Xhulia gjithashtu monitoron vlerësimin e rrezikut për korrupsionin, një proces që synon të adresojë çështjet dhe hendeqet kryesore që kontribuojnë në korrupsion. Pjesëmarrja në këtë kurs e ndihmoi atë të analizojë në mënyrë më të hollësishme aspekte të ndryshme të secilës temë të trajtuar. “...Shembuj të ndryshëm të dilemave etike ose të integritetit më kanë ndihmuar të shoh një situatë nga perspektiva të ndryshme dhe të kem më shumë qartësi nëse po përballem me një shkelje të etikës apo të integritetit...”, shpjegon ajo teksa qëndron në zyrën e saj, ku shumë dosje presin të përpunohen.
Sipas saj, iniciativa të tilla për ndërtimin e kapaciteteve janë thelbësore, jo vetëm për zhvillimin profesional të stafit, por edhe për përparimin e luftës kundër korrupsionit në Shqipëri, në përputhje me standardet dhe vlerat evropiane. Në këtë kontekst, një nga funksionet më të rëndësishme të Drejtorisë së Përgjithshme të Antikorrupsionit (DPAK) është kryerja e hetimeve administrative në të gjitha institucionet publike brenda fushës së saj të mbikëqyrjes. Kjo përfshin si institucionet në nivel qendror, ashtu edhe drejtoritë rajonale, ku realizohen aktivitetet e kontrollit dhe hetimit administrativ.
Statistikat zyrtare tregojnë se gjatë periudhës katërvjeçare nga 2021 deri në 2024, Drejtoria e Përgjithshme e Antikorrupsionit propozoi 540 masa administrative, lëshoi 279 rekomandime dhe referoi 48 kallëzime penale në prokurorinë kompetente.
Projekti kundër Krimit Ekonomik – një nismë e përbashkët e Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës – që nga janari 2024 po bashkëpunon ngushtë me Ministrin e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin për të mbështetur përpjekjet dhe për të adresuar sfidat kryesore në parandalimin dhe luftën kundër krimit ekonomik, përfshirë korrupsionin, pastrimin e parave dhe krimin e organizuar. Kjo ndihmë është shumëdimensionale, duke u fokusuar në forcimin e legjislacionit dhe kuadrit rregullator, ndërtimin e kapaciteteve institucionale dhe rritjen e bashkëpunimit ndër-institucional.
Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, gjatë prezantimit të Kursit, vuri në dukje rëndësinë e tij të veçantë në përmbushjen e një prej rekomandimeve të GRECO-s (Grupi i Shteteve kundër Korrupsionit) dhe në përputhje me prioritetin e Qeverisë Shqiptare për një administratë publike profesionale dhe me integritet të lartë. “Le ta shohim këtë kurs si një element të një panorame më të madhe, si një nismë të përbashkët për të përmirësuar standardet dhe kulturën e punës në administratën publike,” theksoi ministrja Pirdeni.
Megjithëse fillimisht ishte konceptuar për të forcuar kapacitetet e një grupi interesi më të vogël, si këshilltarët politikë, brenda një viti ky kurs autodidakt është shndërruar në një mjet të qëndrueshëm trajnimi për të gjithë administratën publike.
Jasminka Peruničić Allen, e cila drejton projektin e Këshillit të Evropës “HELP në Ballkanin Perëndimor”, ndan se ky kurs ka rezultuar shumë i dobishëm dhe i suksesshëm jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Armeni. Përveç anglishtes, shqipes dhe armenishtes, ai është përkthyer edhe në arabisht, frëngjisht, rusisht, ukrainisht dhe uzbekisht, dhe pritet të përshtatet në gjuhë të tjera. Ky kurs ndihmon drejtpërdrejt në sjelljen e qartësisë mbi qasjen e ndjekur nga Këshilli i Evropës në lidhje me korrupsionin, siç është përfshirë në konventat, rezolutat dhe instrumentet e tjera të tij.
Ky kurs gjithashtu ndihmon në përmbushjen e një prej rekomandimeve të GRECO-s, e cila thekson nevojën për të përmirësuar trajnimin mbi integritetin, përfshirë hetimet e specializuara për korrupsionin, dhe për të krijuar një sistem këshillimi konfidencial me këshilltarë të trajnuar për mbështetje etike. Kjo qasje është integruar gjithashtu në Strategjinë Ndërsektoriale kundër Korrupsionit 2024-2030.
Në përfundim, bashkëpunimi midis Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës me institucionet shqiptare ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit në Shqipëri. Iniciativa si Kursi HELP për Antikorrupsionin kanë rezultuar të paçmueshme, jo vetëm për zhvillimin e aftësive dhe njohurive të profesionistëve të rinj si Xhulia, por edhe për forcimin e një kulture integriteti brenda administratës publike.