Back Asistencë për autoritetet shqiptare në përmirësimin e draft-ligjit mbi krijimin e Zyrës së Rikuperimit të Aseteve në Shqipëri

Tiranë 30 Nentor 2023
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page
  • Imprimer en PDF
shutterstock

shutterstock

Projekti i përbashkët i Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian, kundër Krimit Ekonomik në Shqipëri, në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Brendshme po kontribuon në përmirësimin e draft-ligjit për krijimin e Zyrës së Rikuperimit të Aseteve në Shqipëri, në përputhje me standardet evropiane e ndërkombëtare.

Projekti ka nisur rishikimin e draft-ligjit për Zyrën e Rikuperimit të Aseteve për të identifikuar mangësitë dhe nevojat, duke synyar përafrimin e tij me standardet dhe praktikat më të mira evropiane e ndërkombëtare. Në këtë kuadër, janë zhvilluar dy takime konsultuese me institucionet e përfshira, për të diskutuar mbi gjetjet fillestare të draft-ligjit, të cilat synojnë funksionimin efektiv të kësaj Zyre në Shqipëri.

Krijimi i Zyrës së Rikuperimit të Aseteve shënon një hap të rëndësishëm për Shqipërinë, jo vetëm për forcimin e procesit të drejtësisë penale dhe luftën kundër krimit ekonomik, por edhe si një prioritet në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe harmonizimin e legjislacionit vendas me acqui të BE-së.

Zyra e Rikuperimit të Aseteve në bashkëpunim të ngushtë me institucionet vendase dhe organizma të tjerë ndërkombëtarë, do të kontribuojë në identifikimin dhe gjurmimin e të ardhurave nga veprimtaria kriminale dhe përfitime të jashtëligjshme, si dhe do të shkëmbejë praktika me struktura evropiane simotra me qëllimin për të ndaluar shfrytëzimin e përfitimeve të jashtëligjshme. Grupi Ndërinstitucional i Punës, i drejtuar nga përfaqësues të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Përgjithshme të Shtetit, po drejton këtë proces legjislativ, i cili synon të përmbyllet në fund të vitit 2023. Autoritetet publike përkatëse si Ministria e Drejtësisë, Prokuroria e Përgjithshme, Prokuroria Speciale kundër Krimit të Organizuar, Agjencia e Inteligjencës Financiare, Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, kanë dhënë kontributin e tyre në këtë proces.

Projekti kundër Krimit Ekonomik në Shqipëri është pjesë e “Instrumentit Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë III”, një program i përbashkët i Bashkimit Europian dhe Këshillit të Europës, i cili synon të ndihmojë institucionet përfituese në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë për të respektuar standardet e Këshillit të Evropës dhe të drejtën e Bashkimit Evropian në kuadër të procesit të zgjerimit.