Back Partneritet i forcuar me institucionet shqiptare në rrugën drejt anëtarësimit në BE

KOMUNIKIM PËR MEDIAT
Tiranë / SHQIpëri 4 Dhjetor 2025
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page
  • Imprimer en PDF
Partneritet i forcuar me institucionet shqiptare në rrugën drejt anëtarësimit në BE

Takimi i Komitetit Drejtues të Përfituesve të programit “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë” (Instrumenti Horizontal III) theksoi rëndësinë strategjike të partneritetit midis Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës në mbështetjen e përpjekjeve të vazhdueshme të reformave në Shqipëri, veçanërisht në përputhjen me kërkesat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Përfaqësues nga BE-ja, Këshilli i Evropës dhe institucionet shqiptare u mblodhën sot në Tiranë për të vlerësuar progresin e programit, bashkërenduar mbështetjen dhe dakordësuar për hapat e ardhshëm. Institucionet e Shqipërisë ritheksuan angazhimin e tyre për të garantuar suksesin afatgjatë të këtyre reformave, të cilat do të vazhdojnë të nxisin procesin e integrimit evropian të vendit.

Megi Fino, Zëvendës-Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, ritheksoi rolin thelbësor të avancimit të axhendës së reformave të Shqipërisë dhe procesit të anëtarësimit në BE, siç pasqyrohet në rekomandimet e organeve monitoruese të Këshillit të Evropës. Ajo nënvizoi kontributin kyç të Instrumentit Horizontal III për reformat në fusha si drejtësia, mbrojtja e të drejtave të njeriut, lufta kundër korrupsionit dhe diskriminimit. “Procesi i integrimit në BE nuk ka të bëjë vetëm me plotësimin e kritereve teknike, por me garantimin që reformat të jenë të rrënjosura thellë në institucionet tona”, theksoi ajo.

Ritva Heikkinen, Shefe e Bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së në Shqipëri, përgëzoi progresin e Shqipërisë në rrugën e saj të integrimit në BE, duke deklaruar “Bisedimet e anëtarësimit të Shqipërisë kanë avancuar shumë shpejt këtë vit dhe të gjitha kapitujt e negociatave janë tashmë të hapur. Kapitujt 23 dhe 24 mbi gjyqësorin, të drejtat themelore, drejtësinë, lirinë dhe sigurinë janë boshti i të gjithë procesit nga fillimi deri në fund. Ne jemi të angazhuar të mbështesim Shqipërinë në përmbushjen e kritereve në këta kapituj kyç, përfshirë edhe përmes programit tonë të përbashkët me Këshillin e Evropës.

Claus Neukirch, Drejtor i Drejtorisë së Koordinimit të Programeve në Këshillin e Evropës, vuri në dukje: “Ndërsa Shqipëria shënon 30 vjet anëtarësim në Këshillin e Evropës, ne jemi jashtëzakonisht krenarë për rolin tonë aktiv në formësimin e reformave dhe vendosjen e themeleve për një të ardhme më të fortë evropiane. Instrumenti Horizontal ka qenë thelbësor në këtë rrugëtim, duke vendosur të drejtat e qytetarëve në qendër të këtyre reformave.”

Takimi u përqendrua në sfidat kryesore të hasura në zbatimin e projekteve të Instrumentit Horizontal III. Së bashku ato përfaqësojnë një përpjekje të rëndësishme për të përmirësuar efikasitetin gjyqësor, për të mbrojtur të drejtat e njeriut, për të luftuar krimin ekonomik, për të përmirësuar të drejtat e pronësisë, për të luftuar diskriminimin dhe për të garantuar lirinë e medias në Shqipëri, duke vendosur një bazë të fortë për reformat e ardhshme të qeverisjes.


Disa nga arritjet kyçe përfshijnë:
• Rritjen e efikasitetit gjyqësor përmes forcimit të mbledhjes dhe analizës së të dhënave për institucionet gjyqësore shqiptare.
• Prezantimin e Terapisë të Bazuar në Trauma për grate e dënuara, së bashku me përmirësimin e aftësive të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, lidhur me sigurinë dhe rehabilitimin.
• Forcimin e kapaciteteve të magjistratëve për të hetuar korrupsionin, pastrimin e parave dhe krimin e organizuar duke respektuar të drejtat e njeriut.
• Ndihmë ofruar Kuvendit në hartimin e një Plani Veprimi për Qeverisjen e Mirë, Anti-Korrupsionin dhe Sundimin e Ligjit, duke përfshirë legjislacion të ri për lobimin dhe reforma në financimin e partive politike.
• Ndryshimet në Ligjin nr. 133/2015 ndihmuan në adresimin e prapambetjeve të kompensimit të pronës.
• Legjislacioni kundër diskriminimit i rishikuar në përputhje me direktivat e BE-së dhe standardet e Këshillit të Evropës.
• Nisma për edukimin mediatik dhe kundër gjuhës së urrejtjes, të organizuara me Aleancën kundër Urrejtjes, autoritetet rregullatore të medias dhe shoqërinë civile, me synim luftimin e dezinformimit.
• Forcimin e bashkëpunimit institucional për të rritur sigurinë e gazetarëve përmes protokolleve të përmirësuara për policinë dhe gjyqësorin.

Instrumenti Horizontal III është një nismë e përbashkët e Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës, që zbatohet nga viti 2023 deri në 2026. Ajo mbështet përpjekjet e rajonit për të realizuar axhendat e reformave në fushat e të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe demokracisë, në përputhje me standardet e BE-së, si dhe luan një rol thelbësor në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
 

FOTO NGA AKTIVITETI

Për më shumë informacion, ju lutemi kontaktoni:
Besnik Baka, tel. +355 69 21 78 430

 

 

Instrumenti Horizontal III

Programi i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë” (Instrumenti Horizontal III) është një iniciativë bashkëpunimi, që zgjat nga viti 2023 deri në vitin 2026. Programi mbulon projektet në Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë*, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbi dhe Turqi. Ai u mundëson përfituesve të përmbushin axhendat e tyre të reformave në fushat e të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe demokracisë dhe të jenë në përputhje me standardet evropiane, që është gjithashtu një prioritet për procesin e zgjerimit të BE-së.

Buxheti i këtij programi arrin në rreth 41 milionë euro (85% financuar nga BE, 15% nga KiE).

* Ky përkufizim është pa paragjykim ndaj qëndrimeve për statusin, dhe është në përputhje me Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 1244/1999 dhe Opinionin e GJND-së mbi shpalljen e pavarësisë së Kosovës.