Back Prokurorë të Ballkanit Perëndimor shkëmbejnë eksperiencat mbi efikasitetin dhe cilësinë në një seminar rajonal të zhvilluar në Tiranë

VLORE, SHQIPERI 15-16 MAJ 2024
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page
  • Imprimer en PDF
Prokurorë të Ballkanit Perëndimor shkëmbejnë eksperiencat mbi efikasitetin dhe cilësinë në një seminar rajonal të zhvilluar në Tiranë

Komisioni Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë (CEPEJ) në bashkëpunim me Këshillin Konsultativ të Prokurorëve Evropianë (CCPE) organizoi më 15 dhe 16 maj në Vlorë, një seminar shumëpalësh të nivelit të lartë për prokuroritë e Shqipërisë, Bosnjes dhe Hercegovinës dhe Kosovës* me fokus në “Praktikat e mira dhe sfidat e përbashkëta në lidhje me efikasitetin dhe cilësinë e punës së sistemit të prokurorisë”.

Aktiviteti në të cilin morën pjesë përfaqësues të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme të Shqipërisë, Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të Bosnjes dhe Hercegovinës dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë së Kosovës, u hap nga Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, nga Anëtari i Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të Bosnjes dhe Hercegovinës dhe nga Kryeprokurori në detyrë i Shtetit të Kosovës*.

Pjesëmarrësit zhvilluan diskutime dinamike dhe interaktive mbi praktikat e mira të zbatuara në Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Kosovë* si dhe sfidat e përbashkëta të funksionimit të sistemit të prokurorisë dhe në veçanti çështjet që lidhen me organizimin, menaxhimin dhe kompetencat e prokurorive, mbledhjen dhe analizën e të dhënave dhe komunikimin me shtypin dhe median. Gjithashtu u diskutua mbi eksperiencën dhe praktikat e përzgjedhura Evropiane lidhur me mbledhjen dhe analizën e të dhënave dhe përdorimin e tyre në vendimmarrje me qëllim përmirësimin e funksionimit të prokurorive dhe ndërtimin e marrëdhënieve të zyrave të prokurorisë me publikun.

Pjesëmarrësit patën gjithashtu mundësinë të diskutojnë mbi opinionet e CCPE përkatësisht (Opinion Nr. 18 (2023) për “Këshillat e Prokurorisë si organe kyçe të vetëqeverisjes së prokurorisë”; Opinioni nr. 8 (2013) për "Marrëdhëniet ndërmjet prokurorëve dhe medias"; Opinioni nr. 7 (2012)për “Menaxhimin e mjeteve të shërbimeve të prokurorisë” dhe punën e vazhdueshme për zbatimin e tyre.

Ky aktivitet u bashkëorganizua nga projektet e CEPEJ në rajon, përkatësisht projekti “Drejt një vlerësimi më të mirë të rezultateve të reformave gjyqësore në Ballkanin Perëndimor – Dashboard Western Balkans”, projekti SEJIV “Forcimi i Cilësisë dhe Efikasitetit të Drejtësisë në Shqipëri”, projekti BiHSEJ “Forcimi i Efikasitetit dhe Cilësisë së Drejtësisë në Bosnjë dhe Hercegovinë”dhe projekti KoSEJIII “Forcimi i Cilësisë dhe Efikasitetit të Drejtësisë në Kosovë*’’ në kuadër të programit të përbashkët të Bashkimit Europian dhe Këshillit të Europës  Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë (Instrumenti Horizonatl III), i bashkëfinancuar nga Bashkimi Europian dhe zbatuar nga Këshilli i Evropës.

 

 

 

 

* Ky përkufizim është pa paragjykim ndaj qëndrimeve për statusin, dhe është në përputhje me Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 1244 dhe Opinionin e GJND-së mbi shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Programi i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe i Këshillit të Evropës "Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë" (Instrumenti Horizontal III) është një nismë bashkëpunimi e cila zgjat nga viti 2023 deri në vitin 2026.

Programi mbulon projekte në Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë*, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbi dhe Turqi. Ai u mundëson përfituesve të përmbushin axhendat e tyre të reformave në fushat e të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe demokracisë si dhe të jenë në përputhje me standardet evropiane, që është gjithashtu një prioritet në procesin e zgjerimit të BE-së.

Faza e tretë e programit kap vlerën prej 41 milionë euro (85% financohet nga Bashkimi Evropian, 15% nga Këshilli i Evropës).

Kjo faqe interneti u prodhua me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe të Këshillit të Evropës. Përmbajtja e saj është përgjegjësi vetëm e autorit(ve). Pikëpamjet e shprehura këtu nuk mund të konsiderohen në asnjë mënyrë se pasqyrojnë opinionin zyrtar të Bashkimit Evropian apo të Këshillit të Evropës.

* Ky përkufizim është pa paragjykim ndaj qëndrimeve për statusin, dhe është në përputhje me Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 1244/1999 dhe Opinionin e GJND-së mbi shpalljen e pavarësisë së Kosovës.