Back Përmbledhja e re e afron më tej jurisprudencën e Gjykatës së Lartë të Shqipërisë me standardet evropiane

Tiranë 18 shtator 2026
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page
  • Imprimer en PDF
Përmbledhja e re e afron më tej jurisprudencën e Gjykatës së Lartë të Shqipërisë me standardet evropiane

Një përmbledhje e re me katër vëllime të jurisprudencës së zgjedhur të Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, e zhvilluar me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës, tani është në dispozicion të gjyqtarëve, magjistratëve dhe profesionistëve ligjorë shqiptarë, duke synuar të promovojë një zbatim më të qëndrueshëm, të arritshëm dhe të parashikueshëm të së drejtës.

Ky botim bashkon zhvillimet kryesore në jurisprudencën e Gjykatës së Lartë (2022-2026), duke forcuar kapacitetet vendase dhe duke mbështetur zbatimin e harmonizuar të standardeve juridike. Ai gjithashtu kontribuon në një përafrim më të ngushtë me jurisprudencën e Gjykatës Evropiane dhe përforcimin e sigurinë juridike për qytetarët në Shqipëri.

Botimi përbëhet nga tre vëllime tematike të dedikuara përkatësisht vendimeve të Kolegjit Civil, atij Administrativ dhe Penal të Gjykatës së Lartë, si dhe një vëllim i katërt i dedikuar jurisprudencës përkatëse të Gjykatës Evropiane, të lidhur me veprimtarinë e Gjykatës së Lartë të Shqipërisë.

Vëllimi I - vendime të zgjedhura të Kolegjit Civil, mbi kontratat dhe detyrimet dhe parashkrimin fitues, duke trajtuar ndër të tjera çështje mbi vlefshmërinë dhe efektet e kontratave, transferimin e titullit të pronësisë së pronës, garancitë procedurale dhe kushtet që rregullojnë fitimin e pronësisë nëpërmjet parashkrimit.

Vëllimi II - vendime të zgjedhura të Kolegjit Administrativ, me vëmendje të veçantë në vlerësimin dhe kompensimin e pronës, marrëdhëniet në shërbimin civil dhe ndihmën juridike, duke ofruar udhëzime mbi çështje të tilla si kompetenca gjyqësore, afatet kohore procedurale, barra e provës mbi autoritetet publike, metodologjia e vlerësimit dhe trajtimi ligjor i kompensimit të pronës.

Vëllimi III - vendime të rëndësishme të Kolegjit Penal në lidhje me masat e sigurisë, seancat paraprake dhe procedurat e gjykimit të shkurtuar, duke shfaqur rolin e Gjykatës së Lartë në zgjidhjen e qasjeve të ndryshme, duke sqaruar interpretimin e Kodit të Procedurës Penale dhe duke forcuar përputhshmërinë midis praktikës vendase dhe standardeve të GJEDNJ-së.

Në plotësim të jurisprudencës vendase, Vëllimi IV përmbledh vendime të zgjedhura të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në lidhje me Gjykatën e Lartë të Shqipërisë, duke u përqendruar në sigurinë juridike, aksesin në gjykatë, kohëzgjatjen e procedurave, arsyetimin e vendimeve gjyqësore, të drejtën e pronës, proporcionalitetin e masës së paraburgimit dhe mbrojtjet procedurale.

Përtej dokumentimit të vendimeve individuale, koleksioni është hartuar si një instrument praktik pune. Ai gjithashtu mbështet dialogun midis gjykatave vendase dhe Gjykatës Evropiane, duke kontribuar në siguri më të madhe juridike, praktikë gjyqësore më të qëndrueshme dhe mbrojtje të të drejtave themelore. I prezantuar gjatë tryezës së diskutimit me temë "Masat e sigurimit: vendimi unifikues i Gjykatës së Lartë të Shqipërisë dhe jurisprudenca e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut" , organizuar në kuadër të projektit të Këshillit të Evropës " Rritja e kapaciteteve të gjyqësorit për zbatimin më të mirë të standardeve të së drejtës për liri dhe siguri në Shqipëri", financuar nga Fondi për të Drejtat e Njeriut (HRTF), dhe Departamenti për Krimin Ekonomik dhe Korrupsionin, ky botim mbështetet nga projekti " Mbrojtja e të drejtës së pronës dhe lehtësimi i ekzekutimit të vendimeve të GJEDNJ-së në Shqipëri (D-REX III)", zbatuar në kuadër të programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës "Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë".

 

 

Instrumenti Horizontal III

Programi i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë” (Instrumenti Horizontal III) është një iniciativë bashkëpunimi, që zgjat nga viti 2023 deri në vitin 2026. Programi mbulon projektet në Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë*, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbi dhe Turqi. Ai u mundëson përfituesve të përmbushin axhendat e tyre të reformave në fushat e të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe demokracisë dhe të jenë në përputhje me standardet evropiane, që është gjithashtu një prioritet për procesin e zgjerimit të BE-së.

Buxheti i këtij programi arrin në rreth 41 milionë euro (85% financuar nga BE, 15% nga KiE).

* Ky përkufizim është pa paragjykim ndaj qëndrimeve për statusin, dhe është në përputhje me Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 1244/1999 dhe Opinionin e GJND-së mbi shpalljen e pavarësisë së Kosovës.