Back Monitorimi i mediave audiovizive për një mbrojtje më të mirë të lirisë së shprehjes në Shqipëri

Tiranë, Shqipëri 24 korrik 2026
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page
  • Imprimer en PDF
Monitorimi i mediave audiovizive për një mbrojtje më të mirë të lirisë së shprehjes në Shqipëri

Autoritetet shqiptare po ndërmarrin hapa për të siguruar një monitorim më efektiv të përmbajtjes së mediave audiovizive, me synim forcimin e mbrojtjes së lirisë së shprehjes në përputhje me standardet evropiane. Profesionistë të Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA) morën pjesë në një sesion për ngritjen e kapaciteteve, të organizuar në Tiranë në kuadër të veprimit Mbrojtja e Lirisë së Shprehjes dhe e Lirisë së Medias në Shqipëri (PROFREX-A), një nismë e përbashkët e Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës.

Sesioni trajtoi një pasqyrë të kuadrit ligjor dhe institucional në Shqipëri, kërkesat përkatëse të Bashkimit Evropian, si dhe qasjet praktike për monitorimin e gjuhës së urrejtjes, përmbajtjeve fyese dhe diskriminuese në transmetimet audiovizive, duke u bazuar në standardet e Këshillit të Evropës dhe jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Formati interaktiv i aktivitetit nxiti diskutime dhe reflektime, duke u mundësuar stafit të AMA-s të zhvillojë një kuadër të përbashkët analitik për monitorim të qëndrueshëm dhe të njëtrajtshëm. Kjo do të kontribuojë në krijimin e një mjedisi mediatik më të sigurt dhe do të mbështesë harmonizimin e kuadrit rregullator të Shqipërisë me standardet evropiane.

Ky aktivitet u organizua nga Divizioni për Bashkëpunim në fushën e Lirisë së Shprehjes, në kuadër të veprimit Mbrojtja e Lirisë së Shprehjes dhe e Lirisë së Medias në Shqipëri (PROFREX-A), pjesë e programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës "Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë".

​​​​​​​

Instrumenti Horizontal III

Programi i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë” (Instrumenti Horizontal III) është një iniciativë bashkëpunimi, që zgjat nga viti 2023 deri në vitin 2026. Programi mbulon projektet në Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë*, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbi dhe Turqi. Ai u mundëson përfituesve të përmbushin axhendat e tyre të reformave në fushat e të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe demokracisë dhe të jenë në përputhje me standardet evropiane, që është gjithashtu një prioritet për procesin e zgjerimit të BE-së.

Buxheti i këtij programi arrin në rreth 41 milionë euro (85% financuar nga BE, 15% nga KiE).

* Ky përkufizim është pa paragjykim ndaj qëndrimeve për statusin, dhe është në përputhje me Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 1244/1999 dhe Opinionin e GJND-së mbi shpalljen e pavarësisë së Kosovës.