Back Gjykatat e larta dhe organet gjyqësore nga Ballkani Perëndimor mbështesin përmirësimin e harmonizimit të praktikës gjyqësore

POGRADEC, SHQIPËRI 20 TETOR 2023
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page
  • Imprimer en PDF
Gjykatat e larta dhe organet gjyqësore nga Ballkani Perëndimor mbështesin përmirësimin e harmonizimit të praktikës gjyqësore

Përfaqësues të lartë të Gjykatave të Larta dhe organeve drejtuese gjyqësore të Ballkanit Perëndimor u mblodhën në Pogradec, Shqipëri, për të shkëmbyer praktikat më të mira për harmonizimin e praktikës gjyqësore vendase dhe për të kuptuar më tej mjetet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) për të mbështetur iniciativa të tilla.

Ky takim, i organizuar me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës, shërbeu si platformë për shkëmbimin e njohurive dhe mjeteve për të harmonizuar, zhvilluar dhe përmirësuar praktikat e brendshme, duke garantuar, njëkohësisht, sigurinë juridike, në përputhje me standardet evropiane.

Kjo nismë, bazohet në përpjekjet e vazhdueshme të Gjykatës së Lartë të Shqipërisë për zhvillimin e mjeteve harmonizuese si: instrumentet ligjore për të priorizuar çështjet gjyqësore, publikimin e përmbledhjeve të jurisprudencës për praktikuesit dhe organizimin e forumeve për diskutimin e vendimeve të saj kryesore me gjyqtarët e gjykatave të apelit dhe të rretheve, të cilët mbështesin këto iniciativa. Harmonizimi i praktikës gjyësore është thelbësor për të siguruar zbatimin efektiv të Konventës dhe parandalimin e ankesave të shumta që paraqiten në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Ky aktivitet u organizua si pjesë e projektit “Rritja e mbrojtjes së të drejtës së pronës dhe lehtësimi i ekzekutimit të vendimeve të GJEDNJ në Shqipëri”, në kuadër të programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë”.

 

Instrumenti Horizontal III

Programi i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë” (Instrumenti Horizontal III) është një iniciativë bashkëpunimi, që zgjat nga viti 2023 deri në vitin 2026. Programi mbulon projektet në Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë*, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbi dhe Turqi. Ai u mundëson përfituesve të përmbushin axhendat e tyre të reformave në fushat e të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe demokracisë dhe të jenë në përputhje me standardet evropiane, që është gjithashtu një prioritet për procesin e zgjerimit të BE-së.

Buxheti i këtij programi arrin në rreth 41 milionë euro (85% financuar nga BE, 15% nga KiE).

* Ky përkufizim është pa paragjykim ndaj qëndrimeve për statusin, dhe është në përputhje me Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 1244/1999 dhe Opinionin e GJND-së mbi shpalljen e pavarësisë së Kosovës.