Back Partneriteti BE–Këshilli i Evropës mbështet përparimin drejt standardeve evropiane për të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit dhe demokracinë

DEKLARATË PËR SHTYP
PRISTINA 18 November 2025
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page
  • Imprimer en PDF
Partneriteti BE–Këshilli i Evropës mbështet përparimin drejt standardeve evropiane për të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit dhe demokracinë

Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës riafirmuan mbështetjen e tyre të vazhdueshme për autoritetet në avancimin e reformave aktuale për forcimin e të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe demokracisë, përmes programit të tyre të përbashkët “Instrumementi Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë”. 
Takimi i Komitetit Drejtues të Përfituesve të programit mblodhi në Prishtinë përfaqësues të institucioneve kryesore përfituese, partnerëve ndërkombëtarë, si dhe organizatave të shoqërisë civile për të shqyrtuar progresin e arritur dhe për të diskutuar prioritetet për bashkëpunimin e ardhshëm. 

Claus Neukirch, Drejtor i Drejtorisë së Koordinimit të Programeve në Këshillin e Evropës, theksoi bashkëpunimin e suksesshëm me autoritetet publike dhe akterët e tjerë në përparimin e reformave strategjike dhe në përafrimin e mëtejshëm të legjislacionit dhe praktikave vendore me standardet evropiane. “Përmes Instrumentit Horizontal, ne po nxisim pronësinë e institucioneve përfituese, duke ndërtuar kështu bazën për qëndrueshmërinë afatgjatë të ndërhyrjeve. Për të dhënë vetëm një shembull: Akademia e Drejtësisë ka integruar modulet e trajnimit të Këshillit të Evropës për lirinë e shprehjes në programin e tyre zyrtar të trajnimit për vitin 2026,” theksoi Neukirch. 

Florim Canolli, Drejtor i Zyrës së Bashkëpunimit për Zhvillim - Zyra e Kryeministrit, nënvizoi asistencën e përshtatur që ofrohet nga Instrumenti Horizontal, duke riafirmuar përkushtimin e autoriteteve për të ruajtur bashkëpunim efektiv gjatë gjithë zbatimit të tij. “Dua të theksoj partneritetin strategjik mes qeverisë sonë dhe Këshillit të Evropës, i cili bazohet në përkushtimin tonë institucional ndaj standardeve më të larta të të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit,” tha Canolli. 

Hubert Perr, Shefi i Bashkëpunimit në Zyrën e Bashkimit Evropian në Prishtinë, vuri në dukje partneritetin efektiv midis të gjithë aktorëve në përparimin e reformave kyçe, thelbësore për procesin e integrimit evropian. “Instrumenti Horizontal është një mundësi unike që jo vetëm i bashkon BE-në dhe Këshillin e Evropës, por gjithashtu shfrytëzon kapacitetin teknik, standardet dhe ekspertizën për të mbështetur rrugën e Kosovës* drejt BE-së në një mënyrë shumë të përshtatshme, plotësuese, efektive dhe efikase,” u shpreh Perr. 

Pjesëmarrësit u angazhuan në diskutime frytdhënëse mbi progresin e arritur dhe objektivat e ardhshme për forcimin e drejtësisë, luftën kundër diskriminimit dhe avancimin e lirisë së shprehjes. Rezultatet konkrete përfshijnë dialog dhe besim të forcuar ndërmjet organeve ligj-zbatuese dhe shoqërisë civile, duke përmirësuar reagimet e përbashkëta ndaj urrejtjes, diskriminimit dhe racizmit, në përputhje me standardet evropiane. Brenda sistemit të drejtësisë, mbështetja ekspertëve për optimizimin e menaxhimit të lëndëve ka ndihmuar në përshpejtimin e procedurave dhe zvogëlimin e vonesave administrative. Ndërkohë, standardet evropiane për lirinë e shprehjes janë integruar në trajnimin profesional të gjyqtarëve dhe prokurorëve.  

Takimi konkludoi se kjo lloj asistence orientuar drejt rezultateve mbetet thelbësore për përparimin e objektivave të programit, nxitjen e përgjegjësisë dhe adresimin e nevojave në zhvillim të përfituesve. 

***** 

Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë është një nismë e përbashkët e Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës. Aktualisht në fazën e tretë (2023–2026), programi mbështet përfituesit në zbatimin e reformave në fushat e të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe demokracisë, duke u përafruar me standardet evropiane dhe prioritetet e zgjerimit të BE-së. 

 

Foto nga aktiviteti   

Per me shume informacion ju lutem kontaktoni:  
Besnik Baka,  tel. +355692178430  
Dusan Vojnović, tel. +33 3 90 21 56 99  

 
 

- - - - - - - - - - - - - - - - - 
*Ky përkufizim është pa paragjykim ndaj qëndrimeve për statusin, dhe është në përputhje me Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 1244/1999 dhe Opinionin e GJND-së mbi shpalljen e pavarësisë së Kosovës. 

Instrumenti Horizontal III

Programi i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë” (Instrumenti Horizontal III) është një iniciativë bashkëpunimi, që zgjat nga viti 2023 deri në vitin 2026. Programi mbulon projektet në Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë*, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbi dhe Turqi. Ai u mundëson përfituesve të përmbushin axhendat e tyre të reformave në fushat e të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe demokracisë dhe të jenë në përputhje me standardet evropiane, që është gjithashtu një prioritet për procesin e zgjerimit të BE-së.

Buxheti i këtij programi arrin në rreth 41 milionë euro (85% financuar nga BE, 15% nga KiE).

* Ky përkufizim është pa paragjykim ndaj qëndrimeve për statusin, dhe është në përputhje me Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 1244/1999 dhe Opinionin e GJND-së mbi shpalljen e pavarësisë së Kosovës.