Dita Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë (IDAHOT) do të shënohet në Shqipëri gjatë një muaji plot evente të gjalla, duke festuar diversitetin, barazinë dhe të drejtat e personave LGBTI. Nën temën “Krah për Krah!”, projekti i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës Fuqizimi i mbrojtjes nga diskriminimi në Shqipëri dhe Njësia për Orientimin Seksual, Identitetin dhe Shprehjen Gjinore dhe Karakteristikat Seksuale (SOGIESC) e Këshillit të Evropës, ashtu si çdo vit, po mbështesin organizatat vendore në Shqipëri në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut për nisjen e 15 aktiviteteve promovuese nën sloganin e këtij viti.
Ky vit shënon gjithashtu edicionin e 16-të të Festivalit të Diversitetit, me një kalendar të pasur aktivitetesh gjatë muajit maj, përfshirë ekspozita, diskutime, shfaqje dhe aktivitete komunitare. Ato do të pasqyrojnë një qëndrim të fortë dhe të bashkuar kundër diskriminimit dhe urrejtjes, duke rritur ndërgjegjësimin për të drejtën e çdo individi për të jetuar me dinjitet dhe krenari.
Pika kulmore e festimeve do të zhvillohet më 24 maj, në orën 11:00, me Krenarinë e Tiranës (Tirana Pride), një tubim publik tek Reja – në zemër të kryeqytetit – një thirrje e hareshme dhe e fuqishme për përfshirje, solidaritet dhe të drejta të barabarta për të gjithë, krah për krah.
Këtë Muaj të Krenarisë, IDAHOT po përcjell një mesazh të fortë dhe të qartë nga Shqipëria: “Të gjithë meritojnë të jetojnë pa frikë, paragjykime dhe diskriminim”.