Back Gjykatat Kushtetuese dhe e Lartë e Shqipërisë marrin pjesë në Takimin e Gjykatave të Larta të Këshillit të Evropës

Strasburg / Francë 5 Maj 2026
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page
  • Imprimer en PDF
Gjykatat Kushtetuese dhe e Lartë e Shqipërisë marrin pjesë në Takimin e Gjykatave të Larta të Këshillit të Evropës

Përfaqësues të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë të Shqipërisë morën pjesë në sesionin e 11-të të Rrjetit të Gjykatave të Larta (SCN), të mbajtur në Strasburg më 4-5 qershor 2026. Ela Elezi, përfaqësuese e Gjykatës Kushtetuese dhe Emirijam Ahmetaga, përfaqësuese e Gjykatës së Lartë, iu bashkuan gjyqtarëve dhe profesionistëve të së drejtës nga të gjithë anëtarët e Këshillit të Evropës për të shkëmbyer përvoja dhe për të diskutuar rolin e gjykatave të larta në zbatimin efektiv të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

I krijuar nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në vitin 2015, Rrjeti i Gjykatave të Larta është një platformë unike për dialog gjyqësor që ndihmon gjykatat vendase në të gjithë anëtarët e Këshillit të Evropës në zbatimin dhe interpretimin e Konventës. Takimi vjetor ofron një mundësi të rëndësishme për anëtarët për të forcuar bashkëpunimin, për të ndarë praktikat më të mira dhe për të diskutuar sfidat aktuale me të cilat përballen gjyqësorët evropianë. Me kalimin e viteve, Rrjeti i Gjykatave të Larta është bërë një mekanizëm kyç për promovimin e subsidiaritetit dhe forcimin e marrëdhënieve midis gjykatave të larta dhe Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Pjesëmarrja e gjykatave shqiptare në këtë forum mbështetet nga projekti “Mbrojtja e të drejtës së pronës dhe lehtësimi i ekzekutimit të vendimeve të GJEDNJ-së në Shqipëri (D-REX III)", i cili synon të rrisë kapacitetet gjyqësore dhe të promovojë zbatimin efektiv të standardeve evropiane të të drejtave të njeriut. Projekti është pjesë e Instrumentit Horizontal të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë.

 

 

Instrumenti Horizontal III

Programi i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë” (Instrumenti Horizontal III) është një iniciativë bashkëpunimi, që zgjat nga viti 2023 deri në vitin 2026. Programi mbulon projektet në Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë*, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbi dhe Turqi. Ai u mundëson përfituesve të përmbushin axhendat e tyre të reformave në fushat e të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe demokracisë dhe të jenë në përputhje me standardet evropiane, që është gjithashtu një prioritet për procesin e zgjerimit të BE-së.

Buxheti i këtij programi arrin në rreth 41 milionë euro (85% financuar nga BE, 15% nga KiE).

* Ky përkufizim është pa paragjykim ndaj qëndrimeve për statusin, dhe është në përputhje me Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 1244/1999 dhe Opinionin e GJND-së mbi shpalljen e pavarësisë së Kosovës.