Forcimi i bashkëpunimit mbi të drejtën e pronës, transformimin digjital dhe qeverisjen e mirë në administrimin e pronës përbënte fokusin e Tryezës Rajonale “Nga Prona në Progres: Transformimi Digjital dhe Integrimi në BE i Ballkanit Perëndimor”, e cila mblodhi në Tiranë përfaqësues të lartë nga institucionet kadastrale dhe të administrimit të pronës në të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe shtetet fqinje, anëtare të BE-së.
Kjo Tryezë, e organizuar në kuadër të projektit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Mbrojtja e të drejtës së pronës dhe lehtësimi i ekzekutimit të vendimeve të GJEDNJ-së në Shqipëri” (D-REX III), në partneritet të ngushtë me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës së Shqipërisë, shërbeu si platformë e hapur për shkëmbimin e përvojave të reformës dhe identifikimin e mënyrave praktike për t'i bërë shërbimet lidhur me pronën më transparente, efikase dhe të orientuara drejt qytetarëve.
Në fjalën e tij hapëse, Shkëlqesia e Tij Edi Rama, Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, nënvizoi rëndësinë e këtij aktiviteti, duke vënë në dukje rëndësinë strategjike të transformimit digjital në administrimin e pronës dhe rolin e vlefshëm të bashkëpunimit rajonal në avancimin e kësaj agjende.
Lorena Goxhobelli, Drejtoreshë e Përgjithshme e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Shqiptare theksoi nevojën thelbësore për avancimin e bashkëpunimit midis të gjithë palëve të interesuara për të siguruar që çdo pronë të regjistrohet saktë dhe të menaxhohet në mënyrë efektive.
Giulia Re, Kreu i Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, nënvizoi se “Sigurimi i të drejtës së sigurt dhe transparente të pronësisë është thelbësor për ruajtjen e dinjitetit njerëzor dhe sundimin e ligjit. Bashkëpunimi rajonal dhe transformimi digjital janë thelbësorë në ndërtimin e institucioneve më të forta që u shërbejnë qytetarëve, nxisin besimin dhe mbështesin zhvillimin e qëndrueshëm”.
Andre Rizzo, i Ngarkuari me punë i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, riafirmoi angazhimin e BE-së për të avancuar digjitalizimin dhe harmonizimin ligjor në Përfituesit e Ballkanit Perëndimor, duke siguruar që çdo qytetar të gëzojë të drejta të barabarta mbi pronën.
Delegacione me drejtues të lartë nga Shqipëria, Greqia, Kosova*, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Rumania, Serbia dhe Sllovenia, u angazhuan në diskutime dinamike mbi tema kyçe, si modernizimi i sistemeve kadastrale, digjitalizimi i shërbimeve, roli i inteligjencës artificiale dhe përputhja me standardet evropiane të të drejtave të njeriut në këtë fushë.
Tryeza e rrumbullakët nënvizoi rëndësinë strategjike të angazhimit të përbashkët rajonal për të avancuar sisteme të sigurta, transparente dhe të pajisura në mënyrë digjitale për të mirën e të gjithë qytetarëve. Gjithashtu, Tryeza përforcoi pikëpamjen se administrimi efektiv i pronës është thelbësor për sigurinë ligjore, zhvillimin ekonomik, qeverisjen e mirë dhe shtetin e të drejtës.
Aktiviteti u organizua në kuadër të projektit “Mbrojtja e të drejtës së pronës dhe lehtësimi i ekzekutimit të vendimeve të GJEDNJ-së në Shqipëri (D-REX III)”, pjesë e programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës, Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë.
Kontakt: Besnik Baka; +355692178430
* Ky përcaktim nuk paragjykon qëndrimet mbi statusin dhe është në përputhje me Rezolutën 1244 të OKB-së dhe Opinionin e GJND-së mbi Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës.





