Puna në këtë fushë fokusohet në promovimin e lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias në përputhje me standardet evropiane. Ajo synon profesionistët ligjorë (gjyqtarët, prokurorët, avokatët), autoritetet policore, autoritetet rregullatore të medias dhe organet qeveritare përgjegjëse për legjislacionin e medias dhe çështjet e lidhura me gazetarinë, si dhe aktorët e medias (gazetarë, shoqata gazetarësh, organe vetërregulluese, studentë të drejtësisë dhe të gazetarisë dhe organizata të tjera mediatike). Temat e mbrojtjes së të dhënave dhe qasjes në informacionin publik janë me interes të veçantë në kuadër të temës së mbrojtjes së lirisë së shprehjes dhe të medias.

Back Integrimi i Aktit Evropian për Lirinë e Medias dhe Aktit të Shërbimeve Digjitale në kornizën mediatike të Shqipërisë

Tiranë, Shqipëri 3-4 Korrik 2025
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page
  • Imprimer en PDF
Integrimi i Aktit Evropian për Lirinë e Medias dhe Aktit të Shërbimeve Digjitale në kornizën mediatike të Shqipërisë

Ndërsa Shqipëria avancon në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, përafrimi i legjislacionit mediatik me standardet evropiane përbën një hap thelbësor. Në këtë kontekst, Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) mori pjesë në një seminar për ngritjen e kapaciteteve, të përqendruar në transpozimin dhe zbatimin e Aktit Evropian për Lirinë e Medias (EMFA) dhe Aktit të Shërbimeve Digjitale (DSA).

Seminari, i zhvilluar në kuadër të veprimit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës PROFREX, bëri bashkë stafin e AMA-s, përfaqësues të qeverisë dhe ekspertë ndërkombëtarë për të shqyrtuar mënyrat e integrimit efektiv të EMFA-s dhe DSA-s në legjislacionin kombëtar. Diskutimet u përqendruan në përmirësimin e mbikëqyrjes rregullatore në hapësirën digjitale dhe sigurimin e transparencës dhe pavarësisë redaktoriale.

Pjesëmarrësit thelluan njohuritë mbi dispozitat kyçe të EMFA-s dhe DSA-s, përfshirë transparencën e pronësisë mediatike, mbrojtjen e përmbajtjes online, detyrimet për platformat digjitale dhe rëndësinë e forcimit të autonomisë dhe kapaciteteve zbatuese të AMA-s. Si rezultat i ushtrimeve praktike në grup, pjesëmarrësit hartuan një plan veprimi për të adresuar boshllëqet ligjore dhe për të përcaktuar hapat e ardhshëm në procesin e transpozimit.

Në përfundim të seminarit, stafi i AMA-s u pajis me mjete konkrete, njohuri krahasimore dhe rekomandime të zbatueshme për të mbështetur përpjekjet për reformën e medias, si pjesë e rrugëtimit të Shqipërisë drejt integrimit evropian. Aktiviteti rikonfirmoi rolin qendror të AMA-s në mbrojtjen e lirisë dhe pluralizmit të medias në një mjedis audioviziv dhe digjital që është në zhvillim të vazhdueshëm.

Ky seminar u organizua nga Divizioni për Bashkëpunim për Lirinë e Shprehjes dhe projekti “Mbrojtja e Lirisë së Shprehjes dhe e Medias në Shqipëri”, pjesë e programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë”.