Puna në këtë fushë fokusohet në promovimin e lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias në përputhje me standardet evropiane. Ajo synon profesionistët ligjorë (gjyqtarët, prokurorët, avokatët), autoritetet policore, autoritetet rregullatore të medias dhe organet qeveritare përgjegjëse për legjislacionin e medias dhe çështjet e lidhura me gazetarinë, si dhe aktorët e medias (gazetarë, shoqata gazetarësh, organe vetërregulluese, studentë të drejtësisë dhe të gazetarisë dhe organizata të tjera mediatike). Temat e mbrojtjes së të dhënave dhe qasjes në informacionin publik janë me interes të veçantë në kuadër të temës së mbrojtjes së lirisë së shprehjes dhe të medias.

Back Liri Pa Urrejtje: Liria e Shprehjes përballë të Drejtave të tjera të Njeriut

Liri Pa Urrejtje: Liria e Shprehjes përballë të Drejtave të tjera të Njeriut

Liria e Shprehjes përbën një nga të drejtat themelore të njeriut që qëndron në themelet e një shoqërie demokratike, e si rrjedhojë të gjithë aktorët në vend, përfshirë agjencitë qeverisëse, organizatat e shoqërisë civile dhe komuniteti ndërkombëtar, duhet të punojnë së bashku për të garantuar se kjo e drejtë ushtrohet duke respektuar kufijtë e gjuhës së urrejtjes dhe shpifjes.

Konferenca Kombëtare “Liri pa Urrejtje: Liria e shprehjes përballë të drejtave të tjera të njeriut”, organizuar nga Institucioni i Avokatit të Popullit me mbështetjen e Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë në kuadër të programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës - “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë 2019-2022”, ndau me aktorët kyç, perspektiva të rëndësishme se si të luftojmë gjuhën e urrejtjes dhe forcojë tolerancën e dialogun nëpërmjet partneriteteve mes vendim-marrësve dhe aktorëve të ndryshëm n ëfushën e lirisë së shprehjes.

Konferenca u hap nga Avokatja e Popullit, Znj. Erinda Ballanca, e cila vuri theksin në rëndësinë që kaliria e shprehjes për një shoqëri demokratike dhe rreziqe te kontrollit të saj. “Ajo që duhet, është ta bëjmë ndikimin e së keqes të padëmshëm. E kjo mund të arrihet vetëm përmes një përpjekjeje të madhe për emancipim, edukim dhe zhvillim të aftësive të mendimit kritik në shoqërinë tonë të sotme,“ u shpreh Znj. Ballanca.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z.Ilir Meta, gjatë fjalës së tij theksoi se “Liria e shprehjes dhe e drejta e informimit përvec se janë të drejta themelore kushtetuese janë të lidhura ngushtësisht edhe me ndërtimin e një shteti demokratik. Ndaj liria e shprehjes është tregues i nivelit të demokracisë, qeverisjes së mirë dhe përgjegjësisë publike në vend”.

Kreu i Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, Znj. Jutta Gützkow, përshëndeti të pranishmit dhe u ndal në iniciativën më të fundit të paketës ligjore mbi mediat. “Pavarësisht racionales pas kësaj iniciative, instrumentet e prezantuara në këtë paketë ngrejnë shqetësim mbi përputhshmërinë me standardet e Këshillit të Evropës apo praktikat evropiane…” u shpreh Gützkow duke ritheksuar se Këshilli i Evropës është i gatshëm të mundësojë opinion ligjor mbi kornizën ligjore në kuadër të “Instrumentit Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë”.

Në fjalën e tij Kryetari i Parlamentit të Shqipërisë, Z. Gramoz Ruçi, u ndal në nevojën për komunikim etik duke vënë theksin tek demokratizimi i medias. “…kam kuptuar se sa i rëndësishëm është vetrregullimi i medias, i cili nuk mund te garantojë mbrojtjen e të drejtave të njeriut pa plotësimin e këtyre rregullave edhe prej shtetit” u shpreh Ruci.

Z. Brian Williams, Koordinatori i Përhershëm i OKB-së në Shqipëri u fokusua në fjalën e tij edhe tek rreziku i gjuhës së urrejtjes ndaj minoriteteve ku sipas Bryan kur dikush po shënjestrohet si rrjedhojë e anëtarësimit në një grup që bën pjesë, me tepër se nga opinionet individuale, ky është një sinjalizim (red flag) që të gjithë duhet t’i kushtojmë vëmendje sepse po përdoret gjuha e urrejtjes.

Aktiviteti u adresua edhe nga i Ngarkuari me Punë i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Z. Daniel Koski, i cili theksoi se liria e shprehjes nuk është një licencë që të flasim cfarë duam pavarësisht pasojave. “Nuk është e lehtë që të vendosim kufirin midis gjuhës së pranueshme dhe gjuhës që provokon dhunë, ndaj jemi sot këtu për të survejuar kufijtë e lirisë së shprehjes,” u shpreh ai.

Aktiviteti vazhdoi me diskutime në dy panele që kishin qëllim të analizonin dhe mundësonin qasje të thelluara rreth nocionit të luftës ndaj gjuhës së urrejtjes në përspektivën e anti-diskriminimit. Në këtë kontekst pjesmarrësit prekën çështje të rëndësishme që lidhen me lirinë e shprehjes si mekanizmat rregullatorë dhe vetërregullues të medias duke ju referuar kështu edhe jurisprundencës së Gjykatës së Strasburgut mbi këtë cështje.

Gjatë fjalës së tij Z. Darian Pavli, Gjyqtar në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut për Shqipërinë, u shpreh: “Vlerësimi i lirisë së shprehjes me nevojat për të ndaluar përhapjen e gjuhës që dëmshme, në vecanti në sferën online, është një nga sfidat më të mëdha të kohës. Kujdes shumë i madh nevojitet për të përgatitur regjimin ligjor që adreson këto dëme, duke mbajtur njëkohësisht vlerat esenciale të lirisë së shprehjes për shoqërinë demokratike.

Gjatë Konferencës përfaqësues nga Zyra e Avokatit të Popullit, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Këshilli Shqiptar i Medias njoftuan mbi themelimin e “Aleancës Pa Urrejtje”, që është një iniciative e këtyre organizmave për të angazhuar aktorë vendim-marrës të fushës për të bashkuar forcat dhe advokojnë dhe avancojnë në luftën kundër gjuhës së urrejtjes dhe promovimin e barazisë. Aleanca gjithashtu do të synojë të identifikojë mekanizma të mundshëm për të luftuar gjuhën e urrejtjes, bazuar në praktikat më të mira evropiane.

Ky aktivitet u organizua në kuadër të Aksionit “Promovimi i Diversitetit dhe Barazisë në Shqipëri” dhe “Liria e Shprehjes dhe Liria e Medias nëShqipëri” që zbatohen në kuadër të programit të përbashkët të BE-së dhe Këshillit të Evropës- “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë 2019-2022”.

Tirane 20 Dhjetor 2019
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page