Puna në këtë fushë fokusohet në promovimin e lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias në përputhje me standardet evropiane. Ajo synon profesionistët ligjorë (gjyqtarët, prokurorët, avokatët), autoritetet policore, autoritetet rregullatore të medias dhe organet qeveritare përgjegjëse për legjislacionin e medias dhe çështjet e lidhura me gazetarinë, si dhe aktorët e medias (gazetarë, shoqata gazetarësh, organe vetërregulluese, studentë të drejtësisë dhe të gazetarisë dhe organizata të tjera mediatike). Temat e mbrojtjes së të dhënave dhe qasjes në informacionin publik janë me interes të veçantë në kuadër të temës së mbrojtjes së lirisë së shprehjes dhe të medias.

Back Shqipëria intensifikon përpjekjet për të përmbushur standardet evropiane për median dhe shërbimet dixhitale

Tiranë, Shqipëri 4 mars 2026
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page
  • Imprimer en PDF
Shqipëria intensifikon përpjekjet për të përmbushur standardet evropiane për median dhe shërbimet dixhitale

Teksa Shqipëria përparon me përafrimin e kuadrit ligjor me standardet evropiane, përfshirë Aktin për Shërbimet Dixhitale (DSA), përfaqësues të Këshillit të Evropës, Bashkimit Evropian dhe Autoritetit të Mediave Audiovizive të Shqipërisë (AMA) u mblodhën në Tiranë për të diskutuar dispozita thelbësore mbi transparencën, mbrojtjen e përdoruesve dhe mbikëqyrjen rregullatore.

Aktiviteti u organizua në vijim të tryezës së rrumbullakët të organizuar më herët këtë vit. Në aktivitet u prezantua një analizë krahasuese e Këshillit të Evropës e cila identifikon boshllëqet rregullatore dhe jep rekomandime për ndërhyrje të synuara me qëllim pajtueshmërinë e plotë me acquis evropiane. Temat kryesore përfshinë përgjegjësinë e platformave, kërkesat për raportim dhe bashkëpunimin me autoritetet publike.

Gjatë diskutimeve pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e transpozimit efektiv të dispozitave të DSA-së në kuadrin ligjor shqiptar në kontekstin e reformave të vazhdueshme për sektorin e medias, si dhe përpjekjeve më të gjera të Shqipërisë për të harmonizuar legjislacionin me standardet evropiane. Në përfundim të takimit, pjesëmarrësit dakordësuan një udhërrëfyes mbi hapat e radhës për të përparuar pajtueshmërinë rregullatore me standardet evropiane. Këto përfshijnë: vendosjen e procedurave të thjeshta për raportimin dhe heqjen e përmbajtjes së paligjshme (notice-and-action), mandatimin e sistemeve të brendshme të trajtimit të ankesave për platformat online dhe forcimin e mbrojtjes për të miturit.

Akti për Shërbimet Dixhitale (DSA) vendos rregulla për shërbimet online që përdoren nga qytetarët evropianë në jetën e tyre të përditshme, përfshirë tregjet online, rrjetet sociale, dyqanet e aplikacioneve, dhe platformat për udhëtime apo akomodim online. DSA ndihmon për të bërë mjedisin online të sigurt dhe të besueshëm.

Ky aktivitet u organizua nga Divizioni për Bashkëpunim për Lirinë e Shprehjes, në kuadër të projektit të përbashkët të Bashkimit Europian dhe Këshillit të Europës Mbrojtja e Lirisë së Shprehjes dhe e Medias në Shqipëri (PROFREX-A), si pjesë e programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë.