Në varësi të nevojave dhe prioriteteve të përfituesve në fjalë, puna në këtë fushë përqëndrohet në mbështetjen për institucionet e avokatit të popullit, edukimin gjithëpërfshirës (adresimi i racizmit, bullizmit, segregimit dhe ekstremizmit në sistemin arsimor, korrupsioni në arsim), adresimin e trafikimit të qenieve njerëzore (me fokus në ndihmën për viktimat e trafikimit), luftën kundër diskriminimit ndaj pakicave kombëtare dhe/ose kur bazohet në orientimin seksual ose identitetin gjinor.

Back Ndikimi i gjuhës së urrejtjes në diskursin publik diskutohet në Prishtinë

Komunikim për mediat
Prishtinë 20 Shtator 2023
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page
  • Imprimer en PDF
Ndikimi i gjuhës së urrejtjes në diskursin publik diskutohet në Prishtinë

Pjesëmarrësit në konferencën e nivelit të lartë në Prishtinë arritën në përfundimin se: “Gjuha e urrejtjes është një formë e dhunës, e cila nuk duhet të ketë vend në diskursin publik dhe adresimi i saj kërkon një qasje të shumëanshme që përfshin bashkëpunim të ngushtë ndërmjet autoriteteve publike, shoqërisë civile dhe figurave publike. Duke punuar së bashku, ne mund të krijojmë një mjedis më të sigurt dhe më gjithëpërfshirës për të gjitha komunitetet!”

Konferenca me titull “Gjuha e urrejtjes në diskursin publik”, është mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës. Kjo ngjarje mblodhi përfaqësues të lartë nga autoritetet publike, organizatat ndërkombëtare, politik-bërës, aktivistë të shoqërisë civile dhe përfaqësues të mediave, të cilët morën pjesë në një diskutim të hapur se si të trajtohet gjuha e urrejtjes.

“Të gjithë ne, në veçanti zyrtarët publik, kemi përgjegjësi të ngrihemi kundër gjuhës së urrejtjes dhe promovojmë pozitivisht vlerat e përfshirjes dhe tolerancës”, theksoi Frank Power, Shefi i Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, në hapjen e konferencës.

Duke ju drejtuar pjesëmarrësve, Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog, nënvizoi rëndësinë e kësaj nisme të përbashkët dhe shtoi: “Urrejtja dhe intoleranca bien në kundërshtim me dinjitetin njerëzor, lirinë, demokracinë, barazinë, sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave të njeriut. Ato nuk kanë vend në asnjë shoqëri.

Duke adresuar konferencën, Glauk Konjufca, Kryetar i Kuvendit, nënvizoi rolin e rëndësishëm që aktorët publik kanë në luftën kundër gjuhës së urrejtjes në diskursin publik. “Prandaj dua të shfrytëzoj këtë rast që t’u bëj thirrje të gjitha shtyllave të shtetit duke përfshirë këtu edhe legjislativin, që bashkarisht të krijojmë klimë të përshtatshme ku secilit që është viktimë e gjuhës së urrejtjes t’i ofrohet mundësia e raportimit dhe trajtimit të rasteve të tilla me seriozitetin më të madh institucional.”, tha mes të tjerave Konjufca.

"Liria e mendimit dhe liria e shprehjes, janë të drejta themelore të njeriut të garantuara në Kushtetutë dhe ne kemi bërë mjaftueshëm në garantimin e kësaj të drejte. Ajo për të cilën duhet bërë tash e tutje është garantimi i kësaj të drejte, pa e cenuar të drejtën e dikujt tjetër, sepse askujt nuk i takon e drejta që me lirinë tënde, të kufizosh lirinë e dikujt tjetër", deklaroi Avokati i Popullit, Naim Qelaj në adresimin e tij.

Martina Valdetara, përfaqësuese e Njësisë kundër Gjuhës së Urrejtjes dhe Bashkëpunim nga Këshilli i Evropës në Strasburg, prezantoi para pjesëmarrësve Rekomandimin e Këshillit të Evropës për Luftimin e Gjuhës së Urrejtjes, i cili ofron një përkufizim të qartë të gjuhës së urrejtjes dhe propozon masa ligjore dhe jo ligjore për parandalimin dhe luftimin e tij brenda një kuadri të të drejtave të njeriut, duke përfshirë edhe mjedisin online.

Nga ana e saj, Marigona Shabiu, nga “Iniciativa e të rinjve për të drejtat e njeriut”, deklaroi: “…po aq e rëndësishme sa është promovimi i një demokracie në të cilën respektohet liria e shprehjes, është gjithashtu e rëndësishme të kufizohet kjo liri në rastet kur kultivohet gjuha e urrejtjes, sepse një gjuhë e tillë është një kërcënim për demokracinë dhe të drejtat e njeriut.”

Debati i hapur u pasua nga dy panelet e diskutimit mbi gjuhën e urrejtjes dhe ndikimin e saj social, duke u fokusuar në edukimin, angazhimin e komunitetit dhe ndërhyrjet nga politik-bërësit.

Pjesëmarrësit kishin mundësinë të shkëmbejnë dhe eksploruar strategji konkrete për luftimin e gjuhës së urrejtjes në diskursin publik, duke vënë në dukje se gjuha e urrejtjes në nivel shoqëror, veçanërisht ndaj komuniteteve pakicë ose grupeve të cenueshme, është një shkelje e qartë e të drejtave të njeriut që duhet adresuar.

Konferenca u organizua nga projekti "Luftimi i diskriminimit dhe urrejtjes", zbatuar në kuadër të programit të përbashkët të Bashkimit Evropian/Këshillit të Evropës "Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë”.


Foto

Për më shumë informacion kontaktoni:

Betim Zllanoga - [email protected] / +38349122677  

Besnik Baka – [email protected]/ +355692178430