Në varësi të nevojave dhe prioriteteve të përfituesve në fjalë, puna në këtë fushë përqëndrohet në mbështetjen për institucionet e avokatit të popullit, edukimin gjithëpërfshirës (adresimi i racizmit, bullizmit, segregimit dhe ekstremizmit në sistemin arsimor, korrupsioni në arsim), adresimin e trafikimit të qenieve njerëzore (me fokus në ndihmën për viktimat e trafikimit), luftën kundër diskriminimit ndaj pakicave kombëtare dhe/ose kur bazohet në orientimin seksual ose identitetin gjinor.

Back Gjuha e urrejtjes në Shqipëri: Pavarësisht rritjes së ndërgjegjësimit, ende perceptohet si fenomen në përshkallëzim

Tiranë / Shqipëri 7 Janar 2025
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page
  • Imprimer en PDF
Gjuha e urrejtjes në Shqipëri: Pavarësisht rritjes së ndërgjegjësimit, ende perceptohet si fenomen në përshkallëzim

Publikimi më i fundit i studimit “Përtej Përkufizimeve: Thirrje Kundër Gjuhës së Urrejtjes në Shqipëri” evidenton modele të rëndësishme të gjuhës së urrejtjes në vend, duke nxjerrë në pah si rritjen e ndërgjegjësimit publik, ashtu edhe mangësitë në veprimet e ndërmarra për adresimin e saj.

Sipas gjetjeve të studimit, 97% e të anketuarve deklarojnë se janë të njohur me konceptin e gjuhës së urrejtjes, duke shënuar një rritje të lehtë krahasuar me 94% në vitin 2021. Ky tregues dëshmon për një rritje të ndërgjegjësimit në shoqëri. Megjithatë, studimi evidenton një problematikë thelbësore: një pjesë e konsiderueshme e individëve vijojnë ta identifikojnë gjuhën e urrejtjes thjesht me përdorimin e fjalëve fyese, pa kuptuar dimensionin e saj më të gjerë shoqëror, institucional dhe juridik.

Nga të dhënat rezulton se gjashtë në dhjetë persona mendojnë se gjuha e urrejtjes është e përhapur në Shqipëri, ndërsa shtatë në dhjetë të anketuar shprehen se ajo është intensifikuar në hapësirat publike gjatë katër viteve të fundit, veçanërisht në rrjetet sociale, në mediat informative dhe në emisionet televizive të debatit.

Studimi është realizuar nga Aleanca Kundër Gjuhës së Urrejtjes, me mbështetjen e projektit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Fuqizimi i mbrojtjes nga diskriminimi në Shqipëri”, dhe bazohet në intervista me 1,000 të anketuar në nivel kombëtar. Pavarësisht rritjes së ndërgjegjësimit publik, gjuha e urrejtjes vijon të mbetet e pranishme dhe perceptohet si një fenomen në rritje.

Studimi konstaton se grupe të caktuara vazhdojnë të preken në mënyrë disproporcionale nga ky fenomen. Personat LGBTI raportojnë nivelin më të lartë të ekspozimit ndaj gjuhës së urrejtjes, ku 62% e tyre deklarojnë se kanë përjetuar diskriminim të bazuar në orientimin seksual ose identitetin gjinor. Ndërkohë, minoritetet Rome dhe Egjiptiane përballen kryesisht me gjuhë urrejtjeje të lidhur me përkatësinë etnike ose racore, me 37% që raportojnë raste të tilla.

Megjithëse 57% e shqiptarëve janë tashmë të informuar mbi ekzistencën e legjislacionit kundër gjuhës së urrejtjes, përqindje kjo dukshëm më e lartë krahasuar me 41% në vitin 2021, raportimi i rasteve pranë autoriteteve kompetente mbetet i kufizuar. Shpesh, viktimat zgjedhin t’u drejtohen rrethit familjar ose shoqëror për mbështetje, në vend që të aktivizojnë mekanizmat institucionalë të parashikuar nga ligji.

Në përfundim, studimi thekson se, ndonëse Shqipëria ka shënuar përparim në rritjen e ndërgjegjësimit mbi gjuhën e urrejtjes, është i domosdoshëm përmirësimi i zbatimit të ligjit, rritja e mbrojtjes për grupet vulnerabël dhe ndërmarrja e veprimeve ligjore më efektive.

Ky studim është përgatitur në kuadër të projektit Fuqizimi i mbrojtjes nga diskriminimi në Shqipëri, pjesë e programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë”.

 

 
 Shkarko publikimin ANGLISHT & SHQIP