Back Mbështetje për të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit: Shënohet në Tiranë 110-vjetori i Gjykatës së Lartë Shqiptare

KOMUNIKIM PËR MEDIA
Tirana 10 May 2023
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page
  • Imprimer en PDF
Mbështetje për të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit:  Shënohet në Tiranë 110-vjetori i Gjykatës së Lartë Shqiptare

Gjykatat e Larta kanë një rol themelor e të domosdoshëm në procesin e harmonizimit të praktikës gjyqësore në vend me standardet ndërkombëtare dhe adresimin e sfidave aktuale të reformës në drejtësi në kuadrin e procesit të integrimit në Bashkimin Europian.     
Ky ishte mesazhi kryesor i konferencës ndërkombëtare të organizuar sot në Tiranë nga Gjykata e Lartë Shqiptare në bashkëpunim me Bashkimin Evropian dhe Këshillin e Evropës.

Konferenca mblodhi gjyqtarë nga Gjykatat Supreme të Gjermanisë, Italisë, Francës, Azerbajxhanit, Turqisë, Maqedonisë së Veriut, Kosovës*, Malit të Zi, si dhe nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut dhe Gjykata Federale e Taksave e SHBA-së. Diskutimi u fokusua në piketat kryesore të rrugëtimit më shumë se një shekullor të Gjykatës së Lartë të Shqipërisë dhe transformimit të saj nga vlerat kombëtare në ato më universale në përputhje me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si pjesë e rrugës së Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Në fjalën e tij hyrëse, Sokol Sadushi, Nënkryetar i Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, përshëndeti pjesëmarrësit dhe u ndal tek rritja e besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë e cila mbetet sfidë kryesore. “Gjyqësori e përmbush misionin e tij në mënyrë efektive vetëm kur publiku krijon besim tek, gjykatat, se edhe kur gabojnë, veprojnë krejtësisht të pavarur. Kjo do të thotë besim në një gjyqësor të pavarur, të ndershëm dhe të paanshëm, për të mbrojtur demokracinë dhe shtetin e së drejtës”, u shpreh Sadushi.

Presidenti i Shqipërisë Sh.T Z. Bajram Begaj në fjalën e tij u shpreh se Gjykata e Lartë ka një kontribut të pazëvendësueshëm duke krijuar mundësinë për të patur një jurisprudencë në përputhje me standardet dhe parimet e të drejtës evropiane si dhe në respekt të mbrojtjes së të drejtave të njeriut. “Demokracia e vërtetë nuk mund të ekzistojë pa një sistem drejtësie që ruan vlerat themelore të shoqërisë: dinjititetin njerëzor e që mbron të drejtat individuale” tha Begaj.

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Holta Zaçaj në fjalën e saj u ndal në rëndësinë e pavarësisë së pushtetit gjyqësor si një nga shtyllat kryesore të shtetit të së drejtës “Kjo pavarësi nuk është as favor, as privilegj, ne fakt është përgjegësi dhe detyrë për të gjithë gjyqtarët. Ajo imponohet nga vetë të drejtat e njeriut dhe në fakt është parakusht për të garantuar që arbitri është i paanshëm” u shpreh ajo.

Naureda Llagami, Kryetare e Këshillit të Lartë Gjyqësor të Shqipërisë u fokusua në rëndësinë dhe nevojën e reformës në drejtësi. “Me transformimin 30 vjecar qe kulmoi me reformën në drejtësi jemi me pranë një drejtësie më të mirë ndonëse ende larg nga aspiratat dhe objektivat tona. Për këtë kanë meritë edhe partnerët tanë Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara e shumë vende pranë e larg nesh që nuk kanë rreshtur së mbështeturi drejtesine shqiptare." tha Llagami

Christiane Hohmann, Ambasadorja e BE-së në Shqipëri në fjalën e saj tha: Integrimi në BE është një projekt serioz dhe një gjyqësor cilësor dhe i pavarur është ndër shtyllat kryesore të tij. Këshilli Gjyqësor dhe ai i Prokurorisë duhet të vazhdojnë të ruajnë standardet e larta të vetingut kur përmbushin detyrat e tyre për të garantuar pavarësinë, përgjegjshmërinë dhe funksionimin e duhur të pushtetit gjyqësor dhe të prokurorëve. Shkolla e Magjistraturës luan gjithashtu një rol qendror për të siguruar tërheqjen dhe përgatitjen e brezave të ardhshëm të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Shqipëri. Ata kanë në dorë të ardhmen e drejtësisë, por edhe të ardhmen e anëtarësimit të Shqipërisë në BE”.

Yuri Kim, Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri theksoi se themeli i reformës në drejtësi, është ndarja e drejtësisë nga influencat e politikës. “Mbrojtja e integritetit dhe pavarësisë së institucioneve të drejtësisë dhe eleminimi i ndërhyrjeve reale ose të perceptuara është kritike për sukses dhe njëkoësisht kritike edhe për besimin e publikut”, tha Ambasadorja Kim.

Christophe Poirel, Drejtor i të Drejtave të Njeriut, Drejtoria e Përgjithshme për të Drejtat e Njeriut dhe Sundimit të Ligjit në Këshillin e Evropës deklaroi se “Dialogu gjyqësor është një komponent i rëndësishëm i aktiviteteve tona të bashkëpunimit në Shqipëri. Mbledhja e sotme e gjyqtarëve eminentë nga vende të ndryshme ofron një mundësi të shkëlqyer për të ndarë perspektivat dhe përvojat kombëtare, për të mësuar nga njëri-tjetri dhe për të diskutuar sfidat e përbashkëta”.

Kjo konferencë e nivelit të lartë në Tiranë ofroi një platformë për shkëmbime të frytshme ndërmjet pjesëmarrësve nga Shqipëria dhe vende të tjera, duke adresuar sfidat në kuadrin e avancimit të të drejtave të njeriut në vend dhe rritjes së pavarësisë dhe paanshmërisë së gjyqësorit si kusht paraprak për anëtarësimin në Bashkimin Europian.      

Pjesëmarrësit e Konferencës diskutuan mbi rolin thelbësor të Gjykatës së Lartë të Shqipërisë në mbështetjen për zbatimin e reformës në drejtësi e cila synon garantimin e standardeve të të drejtave të njeriut të Këshillit të Evropës, si dhe vlerave të pavarësisë, profesionalizmit dhe integritetit gjyqësor. Gjykata si një institucion lider në sistemin shqiptar të drejtësisë, ka një rol të dorës së parë në harmonizimin e praktikës gjyqësore në përputhje me standardet evropiane.

Kjo konferencë u organizua në kuadrin e projektit “Përmirësimi i mbrojtjes së të drejtës së pronës dhe lehtësimi i ekzekutimit të vendimeve të GJEDNJ-së në Shqipëri (D-REX III)” si pjesë e Programit të Përbashkët të Bashkimit Europian dhe Këshillit të Europës për Ballkanin Perendimor dhe Turqinë.

 

Për më shumë informacion kontaktoni:

Ida Vodica, Gjykata e Lartë e Shqipërisë, +355 68 20 74502 / [email protected]

Besnik Baka, Këshilli i Evropës, +355 69 21 78430 / [email protected]             

 

 

 

--------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------
* Ky përkufizim është pa paragjykim ndaj qëndrimeve për statusin, dhe është në pajtim me Rezolutën e Këshillit të Sigurisë të Kombeve të Bashkuara 1244/1999 dhe Opinionin e GJND-së mbi shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

 

 

“Upholding human rights and rule of law”