Back KOMUNIKIM PËR MEDIAT: “Interesi publik dhe pavarësia e magjistratëve” Krerët e Shërbimeve të Inspektimit të Drejtësisë mblidhen në Tiranë

KOMUNIKIM PËR MEDIAT: “Interesi publik dhe pavarësia e magjistratëve” Krerët e Shërbimeve të Inspektimit të Drejtësisë mblidhen në Tiranë

Drejtuesit dhe përfaqësuesit e Shërbimeve të Inspektimit të Drejtësisë nga Evropa u mblodhën sot në Tiranë për Konferencën Ndërkombëtare “Interesi publik në administrimin e drejtësisë dhe pavarësinë e magjistratëve” organizuar nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë në partneritet dhe bashkëpunim me Rrjetin Evropian të Inspektorëve të Gjyqësorit (RESIJ) dhe Komisionin Evropian për efikasitetin e drejtësisë të Këshillit të Evropës (CEPEJ)

Magjistratët e Shërbimeve të Inspektimit të Belgjikës, Bullgarisë, Francës, Greqisë, Italisë, Portugalisë, Rumanisë, Spanjës dhe Shqipërisë ndanë ekspertizën dhe përvojat e tyre në lidhje me sfidat kryesore për pavarësinë e magjistratëve dhe rëndësinë e interesit publik në administrimin e drejtësisë.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë i Republikës së Shqipërisë, Artur Metani e vuri theksin tek nevoja për bashkëpunim mes shërbimeve të inspektimit, për të marrë modelet më të mira të njëri-tjetrit, për të bashkërenduar metodat e kontrollit dhe të vlerësimit të institucioneve të drejtësisë në përputhje me vlerat e përbashkëta evropiane, pavarësisht diversitetit të kulturave politike, juridike, sociale apo ekonomike. “Historia në Evropë dhe jashtë saj po tregon se pavarësia e magjistratëve nuk duhet marrë si e mirëqenë, por mbetet një çështje që i përket të gjitha vendeve.  Ky është standard i një dimensioni të përbashkët të shoqërive tona. Ky është një standard ndërkombëtar. Sot të gjitha vendet duhet të shtojnë përpjekjet për forcimin e kësaj pavarësie, por nga ana tjetër edhe rritjen e efikasitetit dhe përgjegjshmërisë së organeve të sistemit të drejtësisë. Të dyja nuk mund të ecin, përveç se bashkë. Sa më i përgjegjshëm një magjistrat, aq më i garantuar është qytetari për të drejtat e veta. Sa më i pavarur magjistrati, aq me demokratikisht ecën shoqëria. Të dyja këto standarde, cilësia e drejtësisë dhe pavarësia e magjistratëve janë prioritet i të gjitha vendeve.”, tha Metani

 

Në fjalën e saj kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë Lindita Nikolla në fjalën e saj vlerësoi ndryshimin që ka ndodhur prej miratimit të reformës në drejtësi. “Sot, pavarësia reale e gjyqtarëve dhe prokurorëve, po konsolidohet paralel me “varësinë” e tyre prej Republikës, Kushtetutës, ligjeve dhe interesit publik. Sistemi i drejtësisë kishte arritur në atë pikë sa nuk e fshihte varësinë e vet, në të dy aspektet, politike dhe financiare. Sot, fijet që e lidhnin sistemin me format korruptive të mësipërme, janë këputur e po këputen dita-ditës. Pushteti gjyqësor po ndërtohet, fuqizohet dhe afirmohet si një pushtet i pavarur. Miti tjetër, se sistemi nuk mund të vetëreformohet, gjithashtu po rrëzohet. Dhe në këtë aspekt ka meritën e vet edhe Inspektorati i Lartë i Drejtësisë, njëri prej organeve të reja dhe më të rëndësishme të qeverisjes së sistemit.

I ngarkuari me punë i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Alexis Hupin nënvizoi në fjalën e tij punën e madhe që është bërë me reformën në drejtësi, si një praktikë europiane por e re për Shqipërinë që vjen së bashku me sfidat krahas rregullave, krahas  çlirimit nga ngarkesa e cështjeve të prapambetura, krah komunikimit me publikun, por gjithashtu edhe për rekrutimin e më shumë inspektorëve në rastin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. “Megjithatë pas dy vitesh vlerësojmë se ju vërtetë keni përmbushur pritshmëritë edhe psë shumë punë mbeten për t’u bërë. Sic e tha znj. Kryetare keni bërë një rrugë të gjatë por ndikimimet e papërshtatshme e ndërhyrjet në cështjet e gjyqësorit vazhdojnë. Marrin forma të ndryshme. Marrin edhe formën e sulmeve ndaj reformës në drejtësi si e tërë por ndonjëherë marrin edhe formën e sulmeve kundër gjyqtarëve e prokurorëve. Për rrjedhojë do doja të falenderoja Inspektorin e Lartë të Drejtësisë për sjelljen shumë profesionale ndaj kësaj trysnie për ta mbajtur gjyqësorin llogaridhënës por edhe për të ruajtur, cka është shumë e rëndësishme pavarësinë e tij.”, tha Z. Hupin.

Demian Smith - i Ngarkuar me Punë në Ambasadën e SHBA-së në Shqipëri vërejti në fjalën e tij se sot po shohim një epokë të re ku sistemi po fillon t’u shërbejë qytetarëve dhe jo vetëm politikanëve, personave me lidhje politike, të pasur apo të inkriminuar. “Shtetet e Bashkuara ju nxisin që të vazhdoni punën e mirë dhe punën e madhe, pavarësisht pengesave që hasni. Krahas partnerëve tanë të BE-së – dhe dua t’i bashkohem komenteve të kolegut tim të BE-së për partneritetin e ngushtë midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian për reformën në drejtësi – ne mbështetëm fillimin e Reformës në Drejtësi në 2016-ën dhe kemi qenë aty në çdo hap të rrugës, përmes vetingut dhe krijimit të institucioneve e reja. Kemi nisur të shohim ndikimin e një gjyqësori më të pastër dhe të prokurorëve dhe hetuesve të përkushtuar kundër korrupsionit. Varet nga vigjilenca dhe angazhimi i institucioneve si Inspektorati i Lartë i Drejtësisë për të ruajtur përparimin kundër korrupsionit dhe për të garantuar integritetin e sistemit gjyqësor. Sot, ju keni diskutime të rëndësishme me partnerët evropianë se çfarë po funksionon dhe çfarë mund të bëhet më mirë. Në fund, ndryshimi i vërtetë, domethënës, ju takon juve, palëve në sistemin e drejtësisë, që të përqafoni reformën dhe t’a bëni sistemin funksional për çdo shqiptar.” tha mes të tjerash Z.Smith.

Në fjalën e saj Muriel Decot – Sekretarja e Komisionit Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë (CEPEJ) u ndal në rolin e rëndësishëm të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për të siguruar që gjyqtarët dhe prokurorët të respektojnë standardet më të larta profesionale dhe të japin drejtësi për të gjithë qytetarët. “Përfitoj nga rasti të ritheksoj angazhimin e CEPEJ-it për të vazhduar mbështetjen e reformave në drejtësi në Shqipëri dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë si një institucion kyç i sistemit të drejtësisë shqiptare”, përfundoi Decot.

Olsi Dekovi, zëvendës Shefi i Zyrës së Këshillit të Europës në Tiranë u shpreh se “Pavarësia e gjyqësorit kërkon bashkëpunimin e institucioneve dhe instrumentave ligjore të ndryshëm si edhe një kombinim kushtesh dhe masash që mund të jenë të ndryshme në vende të ndryshme ku secili gjen ekuilibrin e vet. Kam besim se konferenca e sotme do të ndihmojë në ndërtimin e një platforme për inspektorët gjyqësorë për të prezantuar, diskutuar dhe shkëmbyer përvojat, idetë dhe kërkimet e tyre, perfshi dhe sfidat e inspektimit gjyqësor.”

Konferenca është pjesë e mbështetjes së vazhdueshme të RESIJ për autoritetet shqiptare të drejtësisë dhe synon e shkëmbimin e përvojës, ideve dhe kërkimeve të vlefshme, në lidhje me administrimin e drejtësisë, interesin publik, përgjegjësinë disiplinore dhe pavarësinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve në nivel evropian.

Rezultatet dhe gjetjet kryesore të konferencës do të publikohen (edhe në gjuhën shqipe) në faqen zyrtare të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, duke ofruar informacion të detajuar për median dhe publikun e gjerë mbi këtë temë.

Kjo Konferencë mbështetet nga projekti për “Forcimin e cilësisë dhe efikasitetit të drejtësisë në Shqipëri” (SEJIII), pjesë e programit të përbashkët të Bashkimit Europian dhe Këshillit të Europës “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë 2019-2022”.

 

 

Kontaktet:

• Mimoza Koçiu – Inspektori i Lartë i Drejtësisë
Tel: +355682077013 / email: [email protected]

• Besnik Baka – Instrumenti Horizontal II
Tel: +355692178430 / email: [email protected]

 

Tiranë 24 Qershor 2022
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page