Mbrojtja e lirisë së shprehjes dhe medias në kohë pandemie ka një rëndësi jetike. Në thuajse të gjitha shtetet evropiane njerëzit kanë jetuar të mbyllur në shtëpi për gati dy muaj, një situatë e cila ka ndikuar thellësisht mbi komunitetet tona, ekonominë, familjet dhe jetën e përditshme. Më shumë se herë të tjera jemi mbështetur tek media për të marrë informacione të cilat na kanë ndihmuar të kuptojmë krizën e sjellë nga COVID-19, mënyrat e ndryshme të mbrojtjes si personale ashtu dhe për familjen tonë, ndikimin e gjerë të përhapjes së tij, si dhe për të vënë në peshore vendimmarrjet e qeverive tona dhe komunitetit global. Kriza ka theksuar nevojën e njerëzve për të pasur qasje në informacione sa më të besueshme për ta, por kërkimet në këtë drejtim janë bërë mjaft të vështira për shkak të mbingarkesës së informacionit digjital, përdorimit pa kriter të mjeteve të ndryshme të komunikimit dhe burimeve të informacionit, si dhe për shkak të fenomenit bashkëshoqërues të kësaj situate – atij të çrregullimit informativ. Gazetarët kanë reaguar me vendosmëri në përmbushjen e kësaj përgjegjësie edhe më të spikatur lidhur me informimin e publikut dhe zvogëlimin e rreziqeve shëndetësore dhe të tjera të cilat lindin nga virusi.
Sfidat e mjedisit mediatik kanë marrë dimensione të reja dhe janë bërë edhe më të mprehta me përhapjen e COVID-19. Duke kërkuar të mbrojnë popullsinë e tyre nga kërcënimi, shumë shtete miratuan masa të cilat në mënyrë të pashmangshme kanë cenuar të drejtat dhe liritë përbërëse të një shoqërie demokratike. Ndërsa përgjigjet efektive ndaj krizës janë të domosdoshme, masat e marra nga shtetet nuk duhet të dëmtojnë vlerat themelore Evropiane të demokracisë, të sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut. Gjithashtu, masat nuk duhet të vazhdojnë përtej kohëzgjatjes së krizës.
Për këtë qëllim, Komiteti i ekspertëve për mjedisin dhe reformën mediatike i Këshillit të Evropës (MSI-REF) ka lëshuar një Deklaratë për lirinë e shprehjes dhe informacionit në kohë krize (Statement on freedom of expression and information in times of crisis) duke nënvizuar rolin e gazetarisë së besueshme dhe mediave të pavarura, si dhe të aksesit të pakufizuar për informacion në ofrimin e lajmeve dhe informacioneve të sakta dhe të besueshme dhe në luftën kundër fjalëve pa baza dhe dezinformimit. Sipas ekspertëve, liria e shprehjes, pavarësia e mediave dhe shprehja e lirë, në vend të kontrollit të informacionit, do të na lejojnë të fitojmë sfidat e mëdha me të cilat përballen vendet tona. Një faqe interneti e dedikuar për Median në kohë krizash shëndetësore (Media in times of a health crises) u krijua për të grumbulluar tekste dhe udhëzime të Këshillit të Evropës lidhur me këtë tematikë.
Në kuadër të Programit të Përbashkët të BE-së dhe Këshillit të Evropës, “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë”, Këshilli i Evropës po zbaton 7 projekte në fushën e të lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias (JUFREX), si në nivel rajonal edhe në nivel Përfituesish. Qëllimi është të mbështesin Përfituesit në përpjekjet e tyre për të përafruar me standardet evropiane në lirinë e shprehjes dhe të medias, dhe eventualisht të kultivojnë një mjedis mediatik më të favorshëm për një gazetari të pavarur, të lirë, të sigurt e cilësore.
Gjatë kësaj kohe të izolimit, JUFREX ka përkthyer në gjuhët lokale dhe shpërndarë mes vendim-marrësve përkatës shumë nga instrumentat e zhvilluara nga Këshilli i Evropës për të mbështetur median në kohën e krizave shëndetësore dhe mundësojnë udhëzime se si t’i adresojnë këto cështje.
Për të festuar Ditën Ndërkombëtare të Shtypit, këtë të Dielë 3 Maj, do donim të ndanim me ju lajmërimin se JUFREX është duke përgatitur dy kurse online HELP, respektivisht, mbi Lirinë e Shprehjes dhe Mbrojtjen e Gazetarëve. Kurset pritet të prezantohen gjatë verës dhe do të mundësohen edhe në gjuhët lokale deri në fund të vitit 2020.