Anëtarët dhe stafi i Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë dhe gjyqtarë shqiptarë u mblodhën në Berat për të diskutuar menaxhimin e çështjeve të prapambetura në gjykatat vendase.
Me mbështetjen e BE-së dhe Këshillit të Evropës, aktiviteti riafirmoi angazhimin e KLGJ-së për forcimin e efikasitetit gjyqësor me ndihmën e CEPEJ dhe mjeteve të tij. Nënkryetarja e KLGJ-së Yllka Rupa dhe Zëvendësministri i Drejtësisë Tedi Dobi theksuan se ulja e çështjeve të prapambetura është prioritet për sistemin e drejtësisë në Shqipëri, për të përmirësuar efikasitetin, për të siguruar përgjigje të shpejtë për ata që kërkojnë drejtësi, dhe për t’u përafruar me standardet evropiane për një proces të rregullt gjyqësor.
Pjesëmarrësit rishikuan të dhënat gjyqësore dhe treguesit e efikasitetit të CEPEJ për të identifikuar strategji për uljen e ngarkesës së çështjeve të prapambetura. Diskutimet u përqendruan në përmirësime të mundshme organizative, praktika inovative të menaxhimit të çështjeve, zgjidhje digjitale dhe iniciativa të synuara trajnimi për zbatim në gjykata në periudhë afatmesme dhe afatgjatë.
Për më tepër, në bashkëpunim me veprimin e përbashkët të BE-së dhe Këshillit të Evropës “Forcimi i mbrojtjes së të drejtës së pronës dhe lehtësimi i zbatimit të vendimeve të GJEDNJ-së në Shqipëri (D-REX III)”, aktiviteti përfshiu një rast studimor të fokusuar në çështjet e pronës që kërkojnë ekspertizë financiare. Kjo u mundësoi pjesëmarrësve të analizojnë metodat e punës dhe të eksplorojnë sfidat praktike që lidhen me uljen e çështjeve të prapambetura në këto raste komplekse.
Aktiviteti u organizua në kuadër të veprimit “Forcimi i Efikasitetit dhe Cilësisë së Drejtësisë në Shqipëri” (SEJIV), i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës dhe i zbatuar nga Këshilli i Evropës nën kuadrin e Instrumentit Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë.
