Back Autoritetet shqiptare ritheksojnë angazhimin për bashkëpunimin kundër krimit ekonomik

Tiranë, Shqipëri 12 qershor 2025
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page
  • Imprimer en PDF
Autoritetet shqiptare ritheksojnë angazhimin për bashkëpunimin kundër krimit ekonomik

Përparimi i reformave ligjore dhe forcimi i kapaciteteve institucionale për të luftuar korrupsionin, pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit ishin në qendër të takimit të katërt të Komitetit Drejtues të projektit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës Veprimi kundër Krimit Ekonomik në Shqipëri. Ky takim mblodhi përfaqësues të lartë nga institucionet përfituese, të cilët diskutuan progresin e deritanishëm dhe identifikuan hapat kyç të ardhshëm në kuadër të përpjekjeve për të mbështetur institucionet publike në Shqipëri në parandalimin dhe luftën kundër krimit ekonomik.

Në fjalën e saj hapëse, Giulia Re, Kreu i Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, theksoi vlerën e shtuar që sjell bashkëpunimi ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës në mbështetje të përparimit të vazhdueshëm të Shqipërisë drejt përafrimit me acquis të BE-së dhe forcimit të kuadrit institucional. "Jam e bindur se bashkëpunimi i ngushtë dhe angazhimi i treguar nga institucionet partnere do të vazhdojnë të përparojnë në këtë drejtim", përfundoi znj. Re.

Projekti mori vlerësime pozitive nga përfaqësues të institucioneve përfituese, të cilët u shprehën mirënjohës për asistencën e ofruar në adresimin e rekomandimeve të GRECO-s dhe MONEYVAL-it në mënyrë efektive. Adea Pirdeni, Ministre e Shtetit për Administratën Publike dhe Anti-Korrupsionin, theksoi: "E vlerësojmë shumë këtë bashkëpunim të vazhdueshëm pikërisht sepse është thelbësor, i qëndrueshëm dhe mbështetet në atë që ka vërtet rëndësi: nxitjen për reforma të besueshme dhe përparim konkret në rrugën e integrimit evropian të Shqipërisë."

Cinzia Tarletti, Shefe e Seksionit për Qeverisjen e Mirë dhe Shtetin e së Drejtës në Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, theksoi se me intensifikimin e negociatave për anëtarësim në BE, përafrimi i legjislacionit shqiptar me acquis-në e BE-së është jetik, veçanërisht në fushat që lidhen me konfliktin e interesit, lobimin, financimin e partive, donacionet dhe sinjalizimin e korrupsionit. Ajo gjithashtu vuri në dukje rolin thelbësor që luan Instrumenti Horizontal në mbështetjen e këtyre reformave.

Diskutimet që vijuan vendosën në fokus gatishmërinë e Shqipërisë për raundet e ardhshme të vlerësimit nga GRECO dhe MONEYVAL, me mbështetjen e rikonfirmuar të Këshillit të Evropës. Anëtarët e Komitetit Drejtues dakordësuan planin ardhshëm të aktiviteteve dhe ritheksuan rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm në parandalimin dhe luftën kundër krimit ekonomik.

Veprimi kundër Krimit Ekonomik në Shqipëri është pjesë e Instrumentit Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë III, një program i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe i Këshillit të Evropës.